Vuçiç: Nuk do të kandidoj sërish për president, zgjedhjet do të shpallen para afatit ligjor

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se zgjedhjet në vend pritet të shpallen para afatit ligjor, ndërsa përjashtoi mundësinë e një kandidimi të ri për president, duke theksuar se nuk ka ndërmend të ndryshojë Kushtetutën për ta bërë këtë të mundur.

‘A do t’i ndihmoj dikujt dhe të luftoj që ata për të cilët mendoj se mund ta udhëheqin Serbinë drejt së ardhmes të kenë sukses në zgjedhje – po, por nga cila pozitë, kjo nuk është temë tani’, tha Vuçiç në një konferencë për shtyp me kancelarin austriak Kristian Shtoker në Beograd.

Ai shtoi se për shpalljen e zgjedhjeve janë kompetente vetëm institucionet e Serbisë, të cilat, sipas tij, do të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

Deklaratat e Vuçiçit erdhën pas një shkrimi të gazetës austriake Kronen Zeitung, e cila theksoi se Serbia, ndonëse prej kohësh kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po largohet gjithnjë e më shumë nga BE për shkak të ‘shkatërrimit të demokracisë dhe korrupsionit në strukturat shtetërore’.

Vuçiç gjithashtu komentoi për protestat e fundit në disa qytete serbe, duke i cilësuar ato si të dhunshme, por theksoi se autoritetet kanë reaguar ‘në mënyrë demokratike, pa përdorim serioz të forcës’.

Kujtojmë se një ditë më parë, në protestën në Vrbaz, pati përplasje midis qytetarëve dhe simpatizantëve të Partisë Progresive Serbe, të cilët, sipas dëshmitarëve, kanë përdorur piroteknikë, gurë dhe shishe ndaj protestuesve. Një banor dhe asistenti i kameramanit të N1 u plagosën lehtë gjatë incidentit.

Situata e tensionuar u shënua edhe në disa qytete të tjera të Serbisë mbrëmjen e së martës.