SYRI TV/ Mirditë, takim me investitorë vendas dhe të huaj, fokusi i takimit potenciali i zonës
Në Mirditë u zhvillua një takim me fokus kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe turistik të zonës duke vënë në pah potencialin që ka kjo zonë. Të pranishëm në takim ishin dhe përfaqësues të bashkisë, dhomës së tregtisë dhe të kishës Katolike. Gjatë diskutimit ata vunë theksin tek rëndësia që ka zona e Mirditës, duke nxitur kështu investitorët. Kryetari i bashkisë theksoi se bashkia do iu vijë në ndihmë çdo investitori për t’i pajisur me dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që t’i asistojnë për investime
Syri TV
E shtrirë në një territor malor me potenciale të mëdha natyrore, kulturore dhe turistike, Mirdita cilësohet si një zonë mjaft atraktive për investime. Për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe turistik, bashkia e Mirditës në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zhvilloi një takim edhe me investitorë vendas, si dhe emigrantë. Në takim u prezantua dhe u diskutua për asetet ekzistuese të zonës dhe mundësitë e shfrytëzimit të tyre në sektorë të ndryshëm, si turizmi malor, bujqësia, agroturizmi dhe energjia e rinovueshme.
Fokusi kryesor në takim ishte nisma “Paketa e Maleve”, e cila u prezantua si një mënyrë që synon krijimin e kushteve lehtësuese për investitorët. Në panelin drejtues të këtij takimi ishin të pranishëm kryetari i bashkisë Mirditë Albert Melyshi, Nikolin Jaka, kryetar i dhomës së tregtisë, Dom Gjergj Meta si dhe përfaqësuesi i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, por edhe emigrantë mirditor. Kreu i bashkisë Mirditë u shpreh se do iu vij në ndihmë investitorëve, në përgatitjen e çdo dokumentacion. Mbështetje për banorët e zonës shprehen edhe panelistët e tjerë.
Ndërkohë përfaqësuesi i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural Spartak Harizi ju bëri thirrje bizneseve dhe fermerëve që të aplikojnë në skemat e mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Kjo iniciativë synon të kthejë vëmendjen dhe investimet në Mirditë, duke e shndërruar këtë zonë në një qendër zhvillimi ekonomik e turistik.