Po digjte mbeturina në tokën bujqësore, zona e ish-fushës së mbetjeve urbane në Lushnje përfshihet nga flakët. Në kërkim autori

Zjarri, që ka dalë nga kontrolli i një fermeri që po digjte mbeturina në tokën bujqësore, është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë.

Përmasat e zjarrit janë rritur frikshëm, duke mbuluar të gjithë ish-fushën e mbetjeve urbane të qytetit, e cila është ngjitur me banesat në lagjen "18 Tetori".

Tymi dhe smogu mbuluan gjithë zonën përreth, ndërkohë që 4 ekipet e zjarrfikësve të bashkisë Lushnjë, si dhe efektivë të Policisë së Shtetit, të ndihmuar edhe nga banorët me mjete rrethanore, nuk lejuan që flakët të përfshinin banesat.

Momentalisht, zjarrfikësit e kanë vënë nën kontroll zonën e përfshirë nga flakët dhe nuk ka rrezik për banesat. Uniformat blu kanë identifikuar autorin e zjarrvënies dhe janë në kërkim të tij.

Pavarësisht izolimit të flakëve, fusha e mbetjeve vazhdon të jetë nën monitorimin e zjarrfikësve.