Pse është e rëndësishme se kush është pronari i një gazete
Nga Steven Barnett/
Dhoma e Lordëve këtë javë miratoi legjislacionin e qeverisë që do t’u lejojë shteteve të huaja të mbajnë deri në 15% të aksioneve të gazetave britanike.
Ky votim i hap rrugën kompanisë amerikane të investimeve Redbird për të marrë kontrollin e grupit të gazetave në vështirësi Telegraph, pas dy vitesh pasigurie. Një element përbërës i këtij ofertimi është një pjesëmarrje 15% nga fondi sovran i investimeve IMI, i cili është në pronësi të Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan-it, zëvendëspresidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Debati i ashpër në Dhomën e Lordëve ngriti pyetje themelore mbi atë se kush duhet të zotërojë gazetat dhe lidhjen mes pronësisë dhe përmbajtjes editoriale. Nga njëra anë ishin ata që argumentonin se gazetat britanike përballeshin me një “kërcënim ekzistencial” pa investime të jashtme. Nga ana tjetër, ata që paralajmëronin për ndikimin e mundshëm të një fuqie të huaj mbi një nga gazetat më të vjetra të Mbretërisë së Bashkuar.
Bashkimet dhe blerjet në median e shkruar shpesh janë të debatueshme. Por, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të industrisë së gazetave, ato ka gjasa të bëhen më të shpeshta.
Një marrëveshje krejt tjetër për një gazetë u përfundua në dhjetorin e kaluar, kur faqja e lajmeve Tortoise Media bleu The Observer. Tortoise, e themeluar në vitin 2018 nga ish-redaktori i Times dhe ish-drejtori i lajmeve në BBC, James Harding, i befasoi si analistët ashtu edhe gazetarët duke marrë nën kontroll një gazetë që ishte botuar për herë të parë në vitin 1791.
Marrëveshja shkaktoi kundërshtim të fortë nga disa gazetarë të Observer dhe Guardian. Por, nga një këndvështrim biznesi, marrëveshja u përshtat për të dyja palët.
The Scott Trust, pronar i Observer që nga viti 1993, nuk dukej kurrë plotësisht i angazhuar ndaj kësaj gazete. (Për shembull, nuk kishte asnjë faqe të dedikuar për Observer). Tortoise, ndërkohë, ishte e interesuar të shfrytëzonte vlerat e markës së një produkti të konsoliduar në print. Ajo e shihte Observer si një mjet të përshtatshëm për qasjen e saj ndaj analizës dhe shpjegimit të lajmeve, në vend të raportimit të lajmeve të menjëhershme.
Bota e medias ka qenë gjithashtu e përqendruar në historinë e trashëgimisë së familjes Murdoch dhe pasojat e saj për gazetat e tyre britanike. The Sun, News of the World (deri në mbylljen e saj në vitin 2011), The Times dhe Sunday Times kanë qenë themeli i fuqisë ekonomike dhe politike të Rupert Murdoch-ut në Mbretërinë e Bashkuar për dekada.
Në dhjetor, ai humbi betejën për t’i dhënë djalit të tij të madh, Lachlan-it, kontroll ekskluziv mbi perandorinë e tij mediatike.
Janë shtuar spekulimet se a do të dëshirojë ndonjë nga pasardhësit e Rupert-it të vazhdojë traditën e familjes në median e shkruar pas vdekjes së tij. Perandoria e tij ka pësuar goditje të përsëritura financiare dhe reputacionale që prej skandalit të përgjimeve telefonike. Është plotësisht e mundur që, pasi ai të mos jetë më, të gjitha interesat e tij në median e shkruar të hidhen në shitje.
Këto beteja të ndryshme ngrenë pyetjen: pse është rëndësishme se kush është pronari i një gazete? Shkurt, ka rëndësi sepse pronësia, në një masë të madhe, përcakton përmbajtjen.
Kush i zotëron lajmet?
Që në fillimet e lajmeve të shtypura, pronarët kanë ushtruar kontroll mbi drejtimin politik dhe vlerat gazetareske të gazetës së tyre. Britania e para Luftës së Dytë Botërore pa Lord Beaverbrook-un duke shfrytëzuar gazetat e tij Express për të bërë fushatë për tregti të lirë brenda perandorisë britanike.
Ndërkohë, manjati tjetër i shtypit, Lord Rothermere, i shndërroi gazetat e tij Mail në fletushka propagandistike për militantët fashistë të Oswald Mosley-t dhe si përkrahëse të Adolf Hitlerit dhe Benito Musolinit gjatë viteve 1930.
Pronësia e vazhdueshme e familjes Rothermere mbi Mail ka garantuar deri më sot një botëkuptim të qëndrueshëm të djathtë, kundër emigracionit dhe kundër Europës. Mënyra se si kjo kornizë e qëndrueshme është përcjellë përmes redaktorëve të Mail është dokumentuar mirë nga gazetari Adrian Addison.
Perandoria e gazetave të Murdoch-ut në Britani gjithashtu ka ndjekur vizionin e tij personal për treg të lirë dhe kundër BE-së. Ai i ka përdorur gazetat e tij për të sulmuar BBC-në e financuar nga shteti dhe rregullatorin Ofcom. Megjithatë, Murdoch ka qenë disi më fleksibël në përshtatjen e përkatësisë partiake të gazetave të tij (duke garantuar një varg përuljesh kryeministrore, nga Margaret Thatcher deri te Keir Starmer).
Në krahun tjetër të spektrit politik, The Scott Trust, pronar i Guardian, u konceptua nga djali i C.P. Scott-it si një mjet për të ruajtur misionin liberal të babait të tij për gazetën. Ai ka një politikë të mosndërhyrjes editoriale, përveç vazhdimit të politikës editoriale të gazetës “në të njëjtat linja dhe në të njëjtën frymë si deri tani”. Redaktorët janë kështu të ftuar të përqendrohen në një agjendë progresive të lajmeve, të mbrojtur nga Scott.
Modeli i trustit ofron një shkallë lirie nga mbikëqyrja tradicionale komerciale. Redaktorët mund të ndjekin traditën liberale të Guardian pa u shqetësuar për aksionarë të shtyrë nga fitimi afatshkurtër ose një pronar individual me një agjendë ideologjike të caktuar. Kjo shpjegon pjesërisht armiqësinë e gazetarëve të Observer ndaj blerjes nga Tortoise.
Pse është e rëndësishme
Debati në Dhomën e Lordëve u përqendrua në rreziqet e investimeve të shteteve të huaja në gazetat britanike. Por të gjitha modelet e pronësisë komerciale, dhe të gjithë pronarët, kanë problemet e tyre. Qoftë aksionarë të pangopur, një narcisist i etur për pushtet, një familje e shtyrë nga ideologjia apo një shtet i huaj që kërkon ndikim në Mbretërinë e Bashkuar, modelet komerciale përfshijnë gjithmonë kompromis editorial.
Një qasje ndaj problemeve të pronësisë komerciale është këmbëngulja, përmes ligjit, në një shumëllojshmëri pronarësh. Por kjo është gjithnjë e më e vështirë në një industri ku modeli tradicional i biznesit i bazuar në reklama është nën presion të madh. Ky është pikërisht konteksti pse pronari i ri i Telegraph ishte i dëshpëruar të siguronte fondet e IMI.
Botime të niveleve të larta si Financial Times dhe Times mund të përfitojnë nga abonimet, por muret me pagesë e dekurajojnë qasjen e lehtë dhe e ulin ndikimin gazetaresk. Abonimet janë gjithashtu një ofertë shumë më pak tërheqëse për tabloidët, lexuesit e të cilëve janë më pak të gatshëm të paguajnë.
Një qasje tjetër është të diversifikohen modelet e pronësisë. Gazetat jofitimprurëse dhe bamirëse, si OpenDemocracy apo Bureau of Investigative Journalism, mund të përfitojnë nga donacionet dhe janë më pak të prekshëm nga tekat e pronarëve korporativë apo individëve me pushtet. Por ky model është shumë më pak i zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar sesa në SHBA.
Unë dhe kolegët e mi kemi argumentuar gjetkë se ka arsye të forta për ta bërë më të lehtë gazetarinë bamirëse. Këto modele mund të forcojnë lirinë gazetareske, por gjithashtu kanë anë negative të mundshme që duhen pranuar.
Të gjitha këto mundësi supozojnë se gazetat dhe faqet e tyre online ende kanë rëndësi dhe ndikim të mjaftueshëm që ne të shqetësohemi për pronësinë e tyre, por kjo është një temë për një artikull tjetër. / The Conversation - Syri.net