Sulmi ndaj News 24/ Zyra e BE: Të mos cenohet puna e gazetarëve në përcjelljen e informacionit dhe ruajtjen e konfidencialitetit!

Bashkimi Evropian ka reaguar pas fikjes së sinjalit të transmetimit të Tv News24. Përmes një statusi në faqen zyrtare në Facebook, Zyra e BE-së në Tiranë, thekson se unioni po ndjek nga afër situatën, lidhur me Focus Media Group dhe mediat e saj.

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë teksa bën thirrje që mosmarrëveshjet mes palëve të përfshira duhet të zgjidhen konform ligjit dhe procedurave ligjore, me rëndësi është që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre.

‘Këto janë aspekte thelbësore të lirisë dhe pluralizmit të medias, që janë kritike për garantimin e shtetit të së drejtës’, thekson Zyra e BE-së në Tiranë, në reagimin e saj në facebook.

Reagimi

Ne po ndjekim nga afër situatën lidhur me Focus Media Group dhe mediat e saj.

Mosmarrëveshjet midis të gjitha palëve të përfshira duhet të zgjidhen duke respektuar plotësisht ligjshmërinë dhe procedurat e rregullta ligjore.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre.

Këto janë aspekte thelbësore të lirisë dhe pluralizmit të medias, që janë kritike për garantimin e shtetit të së drejtës.