SHBA/ Trump nis 'pastrimin', Garda Kombëtare zbret në rrugët e Uashingtonit
Garda Kombëtare ka filluar të dalë në rrugët e kryeqytetit amerikan Uashington, pasi Donald Trump urdhëroi që forcat federale të merrnin përsipër departamentin e policisë së qytetit për të menaxhuar krimin dhe të pastrehët.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, thotë se afërsisht 850 oficerë federalë të zbatimit të ligjit u vendosën në Uashington dhe arrestuan 23 persona gjatë natës, duke e quajtur këtë vetëm fillimin.
Arrestimet përfshijnë akuza për vrasje, krime me armë dhe drogë, drejtim mjeti të pakujdesshëm dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur. Ajo tha se u sekuestruan gjashtë pistoleta të paligjshme.
Leavitt tha gjithashtu se kontrolli federal i departamentit të policisë mund të zgjasë më shumë se 30 ditë.
Megjithatë shtëpia e Bardhë do të ketë nevojë për miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të zgjatur marrjen e kontrollit të departamentit.
Në lidhje me të pastrehët Leavitt tha se atyre do u ofrohet një strehë ose trajtim për varësinë nga droga. Ata që refuzojnë të largohen nga kampet e të pastrehëve, do të përballen me gjoba ose me burg.