Ndërhyrje me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine/ Zjarri vijon të përhapet me shpejtësi në Poliçan

Situata e zjarrit në bashkinë Poliçan ka dalë plotësisht jashtë kontrollit në Njësinë Administrative Tërpan, duke përfshirë disa fshatra dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt banesat dhe mjedisin natyror.

Vatra e zjarrit ka përfshirë fshatrat Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, ndërsa flakët po i afrohen me shpejtësi edhe zonës së mbrojtur të Ballollit.

Për shkak të përmasave të mëdha që ka marrë zjarri dhe rrezikut për jetën e banorëve, bashkia e Poliçanit ka ndërmarrë masa urgjente për evakuimin e të gjithë banorëve të zonave të prekura, përfshirë edhe ata që jetojnë brenda kufijve të Rezervatit të Mbrojtur të Ballollit.

Në vendngjarje janë mobilizuar forca të shumta zjarrfikëse, trupa të ushtrisë dhe policisë, të cilëve iu është bashkuar edhe një helikopter i Bazës Ajrore Kuçovë për ndërhyrje nga ajri.

Megjithatë, terreni malor dhe mungesa e rrugëve e kanë bërë jashtëzakonisht të vështirë futjen e mjeteve zjarrfikëse dhe mjeteve ushtarake deri në vatrat e zjarrit. Kjo ka detyruar ekipet të ndërhyjnë me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine, duke punuar në kushte shumë të vështira.

Sipas burimeve nga terreni, edhe pse po luftohet prej disa orësh me flakët, situata mbetet tejet kritike.

Zjarri vijon të përhapet me shpejtësi dhe rreziku për banesat dhe mjedisin është i lartë. Autoritetet lokale dhe ekipet e emergjencës po bëjnë thirrje që qytetarët të qëndrojnë larg zonave të rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të mbrojtjes civile.