'Të hetohen vrasjet e gazetarëve'/ Kreu i OKB kërkon proces hetimor për sulmin e Izraelit
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka kërkuar një “hetim të pavarur dhe të paanshëm” mbi vrasjen e gazetarëve të rrjetit Al Jazeera në Gaza, si pasojë e një sulmi të ushtrisë izraelite.
Kërkesa është përcjellë nga zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stéphane Dujarric.
“Vrasjet e fundit vënë në dukje rreziqet ekstreme me të cilat gazetarët përballen kur mbulojnë luftërat”, ka deklaruar Dujarric.
Gazetarët e Al Jazeera gjetën vdekjen në vendet ku ata flinin, në një tendë të ngritur posaçërisht për përfaqësuesit e medias, në Qytetin e Gazës.
Në reagimin e saj, ushtria izraelite deklaroi se kishte vënë në shënjestër korrespondentin 28-vjeçar Anas al Sharif, i cili sipas saj ishte kreu i një celule terroriste të Hamasit.
Akuza u hodh poshtë nga rrjeti informativ, i cili e quajti episodin një “vrasje të programuar” dhe një tjetër sulm të hapur e të qëllimshëm ndaj lirisë së shtypit.
Gjashtë gazetarët e vrarë raportonin për situatën katastrofike në Gaza, e ndikuar edhe nga kriza e rëndë e urisë që ka përfshirë enklavën.
Edhe Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve e dënoi vrasjen e tyre dhe deklaroi se 186 reporterë kanë humbur jetën që nga fillimi i ofensivës ushtarake izraelite në Gaza, në tetor të 2023-shit.
Sipas institucionit, periudha në fjalë ka qenë më fatalja për gazetarët që nga nisja e regjistrimit të të dhënave mbi ta, në vitin 1992.