VIDEO/ Shkrumbohet jahti luksoz në brigjet e Spanjës, shpëtojnë 7 personat që ishin në bord
Një jaht luksoz 28 metra i gjatë është fundosur pas një zjarri të madh që shpërtheu në dhomën e motorit, duke përfshirë të gjithë anijen me flakë, të hënën më 11 gusht. Ngjarja ndodhi në afërsi të ishullit Formentera, pranë Ibizës, dhe u raportua nga mediat lokale.
Pamjet dramatike të publikuara nga Salvamento Marítimo, shërbimi spanjoll i shpëtimit detar, tregojnë jahtin ‘Da Vinci’ të mbuluar nga flakët ndërsa lundronte në ujërat e Mesdheut.
Sipas autoriteteve, zjarri nisi në dhomën e motorit dhe u përhap me shpejtësi, duke bërë të pamundur kontrollin e tij. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të shpëtimit, jahti u dëmtua rëndë dhe përfundimisht u fundos në det.
Të shtatë personat në bord, përfshirë ekuipazhin dhe të ftuarit, u evakuuan me sukses dhe u transportuan në tokë nga mjetet e shpëtimit detar. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
Ngjarja ka ngritur shqetësime mbi sigurinë në jahtet luksoze dhe menaxhimin e zjarreve në det të hapur, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik në Ishujt Balearik.