‘Ishin as 50 metra larg’/ Me lot në sy, banorja akuza policisë: Pse nuk erdhën dje avionat, na shkatërruan jetën

Shqipëria po përballet me një situatë alarmante, pasi zjarret kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe shqetësim të thellë tek komunitetet e prekura.

Banorët denoncojnë reagimin e vonuar të autoriteteve dhe mungesën e infrastrukturës emergjente, që kanë rritur ndjeshëm indinjatën dhe revoltën e tyre.

Një banore nga Skënderbegasi në Gramsh rrëfen për mediat se ndihma institucionale ka ardhur me vonesë kritike:
“Që dje atje lart ka qenë flaka. Policia ka ardhur sot në orën 9:00 të mëngjesit. Kush del nga bashkia jonë, kanë ardhur kot sot, ata erdhën pasi u përvëluam. A jam dëmtuar? Kam punuar gjithë jetën për atë shtëpi dhe ika se u përvëluam. Përse nuk erdhën dje avionët, erdhën sot. Tetë avionë mbushën një kovë me ujë dhe ikën. E di sa janë djegur atje në fshatin tonë? Janë djegur gjithë ata që kanë punuar një jetë të tërë.

Një tjetër banor i zonës thekson se distanca nga rruga kryesore deri te shtëpitë ishte shumë e vogël, por ndihma nuk mbërriti në kohë për t’i shpëtuar nga zjarri:
“Nuk ishin as 50 metra larg dhe nuk erdhën. Ishin vetëm 4 familje. Atje është një familje akoma. 50 metra ishin nga rruga dhe nuk u mbrojtën.”

Dëmet ekonomike janë të mëdha dhe banorët janë detyruar të largohen vetëm, pa asnjë ndihmë:
U largova vetë, se s’kemi ujë. E kam motër atë gruan që foli dhe banesa ime është djegur komplet. 100 milionë lek shtëpi është dëmtuar. Kam dhe bagëti, edhe i lamë mbyllur atje. Unë do shkoj të fle atje. Janë djegur 100 milionë lekë.”

Situata mbetet kritike, ndërsa qytetarët kërkojnë ndihmë urgjente dhe përgjegjësi nga autoritetet për menaxhimin e krizës dhe mbrojtjen e pronave të tyre.