Skandal në kulmin e verës – ujërat e zeza pushtojnë plazhin e Durrësit
Në kulmin e sezonit turistik, pushuesit në Durrës po përballen me derdhjen e ujërave të zeza në det. Pasditen e të hënës, lideri i opozitës Sali Berisha publikoi një video denoncim, ku ujërat e zeza shpërthenin në mes të rërës dhe më pas derdheshin në det. Jo vetëm kaq, por çdo ditë në det derdhen edhe ujërat e zeza të banesave, të cilat shkarkohen nëpërmjet një kanali, duke krijuar ndotje masive dhe rrezik për pushuesit.
Të hënën pasdite, Berisha publikoi denoncimin e një qytetari së bashku me një video, ku tregohej sesi në plazhin e zonës së Shkëmbit të Kavajës kishin shpërthyer ujërat e zeza, të cilat derdheshin në det. Në denoncimin e qytetarit shfaqej shqetësimi se shpërthimi i ujërave të zeza në mes të rërës dhe pushuesve kishte krijuar kushte të pasigurta për turistët që ndodheshin aty.
Syri Televizion bëri një vëzhgim në bregdetin e Durrësit dhe veçanërisht në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Jo vetëm shpërthimi i ujërave të zeza në mes të rërës, i cili ka qenë një incident problematik gjatë ditës së hënë, por në këtë zonë ujërat e zeza shkarkohen vazhdimisht në det nëpërmjet një kanali. Ky kanal, që mbledh ujërat e zeza në një perimetër të gjerë fshatrash dhe zonash të banuara, ndodhet mes zonës së Pleavës dhe Shkëmbit të Kavajës. Ai derdhet në det, ndërsa pranë tij janë vendosur edhe çadra nga pushues apo sipërmarrës privatë.
Pushuesit thonë se ndihen të frikësuar nga ndotja dhe e shohin këtë si një rrezik të madh për shëndetin e tyre. Ata theksojnë se është e papranueshme që në një zonë turistike të vijojë të ndodhë një ndotje e tillë dhe kërkojnë që strukturat përgjegjëse të marrin masa urgjente.
Durrësi vizitohet nga turistë të shumtë gjatë gjithë vitit, por në muajt e verës është i përqendruar fluksi më i lartë i pushuesve. Pavarësisht rëndësisë turistike, prej vitesh ujërat e zeza vijojnë të derdhen në det, duke mbetur një nga problemet më të mëdha dhe të pazgjidhura të qytetit bregdetar.