Fier – Mbrostar Ura pa ujë dhe mes mbetjeve
Banorët e Mbrostar Urës në Fier vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Edhe pse temperaturat gjatë verës po shënojnë shifra rekord, në rubinetat e banesave të banorëve të kësaj zone nuk ka ujë. Një tjetër problem për banorët janë edhe mbetjet urbane, të cilat qëndrojnë të hedhura mes lagjes dhe shumë pranë banesave.
Në këto ditë përvëluese të verës, afro 100 familje të "Lagjes së Poshtme" në Mbrostar Ura në Fier po përballen me një krizë të rëndë: mungesën e ujit të pijshëm. Banorët thonë se ky nuk është një problem i momentit, pasi situata zgjat prej shumë vitesh. Pavarësisht ankesave të shumta, ata nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje, as nga UK Fier, as nga Bashkia, ndërkohë që faturat paguhen rregullisht.
Përballë indiferencës së pushtetit dhe nevojës jetike për ujë, pjesa më e madhe e familjeve janë detyruar të hapin puse vetëm për të siguruar ujë, i cili përdoret vetëm për nevojat shtëpiake, ndërkohë që për të pirë ata duhet ta blejnë.
Sikur të mos mjaftonte mungesa e ujit, banorët kanë përballë edhe një tjetër problem të madh: mbetjet urbane. Ato qëndrojnë të hedhura mes lagjes dhe pranë banesave, duke u kthyer në këto ditë të nxehta vere në burim sëmundjesh dhe vatër infeksioni.
Banorët tregojnë se janë ankuar për vite me radhë, por përgjigjet që kanë marrë shpesh janë fyerje për inteligjencën e tyre, ndërkohë që institucionet shtetërore vijojnë të shpërfillin kërkesat e komunitetit të kësaj zone.