Situata kritike e zjarreve në Gramsh/ 4 fshatra nën pushtetin e flakëve masive, një viktimë
Situata në Gramsh po përshkallëzohet drejt një emergjence të rëndë humanitare dhe mjedisore, ndërsa zjarret që kanë përfshirë disa fshatra të njësive administrative vijojnë të përhapen me shpejtësi, duke lënë pas dëme të mëdha dhe banorë të lënduar.
Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë video ku flakët aktive janë përhapur në sipërfaqe të madhe. 4 helikopterë po punojnë të shuajnë zjarrret të cilat janë aktivizuar shumë fuqishëm mesditën e sotme.
Katër fshatra: Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër janë nën pushtetin e flakëve, informojnë gazetarët e Syri Tv. Deri tani konfirmohet për 1 viktimë, ndërsa një grua me dy fëmijë ka kërkuar ndihmë pasi kanë mbetur të izoluar. Viktima mësohet se është një 80 vjeçar i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij në fshatin Kullollas, e flakët janë përhapur masivisht në fshatrat e tjerë.
Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.