Kur Kant-i ktheu botën përmbys — nga qielli tek mendja jonë

Në historinë e mendimit, janë të rralla ato momente kur një ide e vetme arrin të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si e shohim botën. Për astronominë, kjo ndodhi kur Koperniku guxoi të thoshte se nuk është Dielli që rrotullohet rreth Tokës, por e kundërta. Për filozofinë, momenti i tillë mbërriti në shekullin XVIII, kur një profesor nga Königsbergu, Immanuel Kant, vendosi të bënte një revolucion të ngjashëm — jo në qiell, por në mendjen njerëzore.

Kant-i i quajti këto ndryshim “revolucioni kopernikan” i filozofisë. Dhe në thelb, ideja ishte e thjeshtë, por tronditëse: nuk duhet të pyesim vetëm “si është bota?”, por “si duhet të jetë ndërtuar bota që ne ta njohim?”. Me fjalë të tjera, nuk mjafton të studiojmë realitetin “atje jashtë”; duhet të kuptojmë edhe strukturën e syve, të shqisave, të mendjes sonë — filtrat e padukshëm që e formësojnë çdo gjë që shohim, dëgjojmë, prekim.

Kjo është arsyeja pse një tryezë e gjelbër dhe e fortë nuk është kurrë thjesht një objekt i pavarur: ajo është edhe produkt i mënyrës se si sytë tanë përpunojnë dritën dhe se si truri ynë e vendos “tryezën” brenda një kategorie objektesh të njohura, duke i dhënë vlera dhe funksione. Një pjesë e asaj që quajmë “realitet” nuk është e jashtme, por e brendshme, e lindur nga ne.

Ky është mësimi i madh kantian: çdo përvojë që kemi është bashkëprodhim i botës dhe i mendjes. Realiteti nuk është një skenë ku ne thjesht jemi spektatorë; është një shfaqje që ne e bashkë-shkruajmë, pa e kuptuar. Në këtë kuptim, pyetja themelore nuk është “Çfarë është e vërtetë?”, por “Si bëhet e mundur që diçka të jetë e vërtetë për ne?”.

Sot, në një botë ku debati mbi të vërtetën është shpesh i turbullt, ku informacioni, perceptimi dhe manipulimi ndërthuren çdo ditë, ideja e Kantit është më aktuale se kurrë. Ajo na kujton se para se të kërkojmë të ndryshojmë botën, duhet të kuptojmë mekanizmat e mendjes që e interpretojnë atë. Sepse ndoshta, siç do të thoshte vetë Kant-i, revolucioni i vërtetë nuk fillon jashtë, por brenda nesh.

"Kur Kant lindi në vitin 1724, Königsberg (sot Kaliningrad, në Rusi) ishte kryeqyteti i Prusisë Lindore, një port i hapur ndaj trafikut tregtar në Detin Baltik dhe në Detin e Veriut, me një numër të madh tregtarësh. Ndër ta ishte një anglez i kulturuar dhe origjinal, Joseph Green (1727–1786), me të cilin Kant ndante pasionin për Hume-in dhe Rousseau-n dhe nga i cili, vetëm mjaft vonë, pas të dyzetave, trashëgoi pasionin për një jetë metodike, të rregulluar me orë — një zëvendësues mekanik, në jetën e përditshme, i imperativit kategorik, i detyrës si detyrë, si themel i moralit. Edhe kur, pasi ishte bërë i famshëm, mori propozimin për të dhënë mësim në Berlin, Kant nuk braktisi kurrë zakonet e tij dhe qytetin e tij të lindjes, ku vdiq në vitin 1804.

Revolucioni kopernikan

Është thënë se filozofia, në përgjithësi, është vetëm një shënim në fund të faqes së mendimit të Platonit. Mund të shtojmë se ajo moderne është po ashtu një shënim në fund të faqes së filozofisë së Kantit dhe të “revolucionit kopernikan” që ai ia atribuoi vetes. Ideja është shumë e thjeshtë: në vend që të pyesim se si janë gjërat në vetvete, duhet të pyesim se si duhet të jenë të ndërtuara në mënyrë që të mund të pranohen prej nesh. Me fjalë të tjera: në vend që të merremi me botën si të ishte e pavarur nga ne, siç bënte metafizika e lashtë, të pyesim se si janë të strukturuara shqisat dhe intelekti ynë, dhe se si mënyra e ndërtimit të tyre kushtëzon njohjen tonë të botës së jashtme.

Me këtë revolucion, Kant hapi një mënyrë të re të të menduarit, e cila u bë standardi i të gjithë filozofëve (dhe shumë jo-filosofëve) pas tij. Kjo mënyrë të menduari mund të formulohet përafërsisht kështu: nëse para meje kam një tryezë të gjelbër dhe të fortë, kjo varet padyshim nga tryeza, por të paktën po aq nga fakti që sytë e mi janë të ndërtuar në një mënyrë të caktuar dhe janë të aftë të kapin valët e dritës, si edhe nga fakti që në trurin tim ekzistojnë koncepte që më lejojnë ta vendos objektin “tryezë” brenda një grupi gjërash të njohura, duke i atribuar atij disa veti.

Nëse duam ta njohim botën, duhet të fillojmë duke kuptuar se si është e ndërtuar mendja, ose më saktë, cilat janë parimet që rregullojnë funksionimin e saj dhe e bëjnë të mundur përvojën. (Këtë studim të kushteve të mundësisë, Kant e quajti “filozofi transcendentale”).

/Përgatiti nga Corriere Della Sera për Syri.net - Alba Kepi/