Zjarret masive në Gramsh: 4 helikopterë në operacion për të frenuar flakët dramatike në fshatrat Kullollas dhe Bletëz
Përshkallëzimi dramatik i zjarreve në fshatrat Kullollas dhe Bletëz të bashkisë Gramsh ka detyruar reagimin urgjent të autoriteteve më të larta të sigurisë dhe emergjencës në vend.
Ministri i Brendshëm dhe drejtues të lartë, janë nisur menjëherë drejt zonës së përfshirë nga flakët për të ndjekur nga afër menaxhimin e situatës kritike dhe koordinimin e operacioneve në terren.
Dy fshatrat janë “pushtuar “nga flakë gjigande” që kanë përparuar me shpejtësi, duke rrezikuar jo vetëm sipërfaqe të mëdha pyjore, por edhe banesat dhe jetën e banorëve. Për të përballuar këtë emergjencë, në operacion janë angazhuar 4 helikopterë, të cilët kanë nisur ndërhyrjen nga ajri për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe për të mbështetur trupat në terren.
Aktualisht, në zonë ndodhen 80 forca të Forcave të Armatosura, të cilat po punojnë krah për krah me zjarrfikësit dhe strukturat vendore të emergjencës civile.Evakuimi i banorëve nga tre fshatra ,Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë është në vijim.
Autoritetet vijojnë të bëjnë thirrje për bashkëpunim nga komuniteti, duke theksuar se situata mbetet tepër e rrezikshme dhe kërkon mobilizim të plotë institucional dhe qytetarë.