Pako me 1 kg kanabis nga SHBA në Tiranë, dy adoleshentë e tërheqin nga dega postare në Vorë, arrestohen

Në një operacion të koordinuar nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Policinë e Rinasit dhe Filialin e Postës Shqiptare në Vorë, u arrestuan në flagrancë dy shtetas të mitur, 17-vjeçarë, të cilët morën një paketë me 1 kilogram e 118 gramë Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, e trafikuar nga SHBA për tregun shqiptar.

Një person i tretë është shpallur në kërkim dhe hetimet për identifikimin e të gjithë të përfshirëve vazhdojnë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pako 6”.

Në vijim të aksioneve të pandërprera për goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike të trafikuara nga jashtë vendit për shitje në tregun vendas, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin “Qendra Tranzite” të Postës Shqiptare, finalizoi operacionin e koduar “Pako 6”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë dy 17-vjeçarë, të cilët u kapën menjëherë pasi morën në një degë postare në Vorë një pako me 1 kg e 118 gramë Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, të trafikuar nga SHBA me qëllim shitjen në Shqipëri.

Gjithashtu, u shpall në kërkim një tjetër shtetas i përfshirë në këtë aktivitet, gjeneralitetet e të cilit nuk bëhen publike për shkak se hetimet vijojnë.

Punohet për identifikimin dhe kapjen e porositësve të lëndës narkotike, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme