Elbasan/ Fshihnin të ardhurat e përfituara nga valutat, procedohen 3 kambistë. Sekuestrohen mbi 6 milionë lekë

Në vijim të operacioneve për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare, u zhvillua operacioni i koduar “The Script 2”, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit. Ky operacion u fokusua në kontrollin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e këmbimit të valutave në qytetin e Elbasanit.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, u konstatuan parregullsi në deklarimin e të ardhurave nga tre administratorë subjektesh, shtetasit R. K., 62 vjeç, B. L., 63 vjeç, dhe A. N., 58 vjeç. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 6 152 430 lekë në valuta të ndryshme, përfshirë lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane dhe paunde britanike.

Materialet përkatëse janë referuar në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj administratorëve të përfshirë.

Njoftimi:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me struktura të tjera të DVP Elbasan, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, operacionin policor të koduar “The Script 2”.

Gjatë operacionit, janë ushtruar kontrolle në subjektet për këmbimin e valutave (exchange), në qytetin e Elbasanit. Nga kontrollet rezultoi se administratorët e 3 subjekteve të tilla nuk deklaronin të ardhurat që përfitonin.

Në përfundim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për administratorët e 3 subjekteve, shtetasit R. K., 62 vjeç, B. L., 63 vjeç, dhe A. N., 58 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 6 152 430 lekë në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paunde etj).