‘Emergjencë e shkallës Nr.1’/ Kryetari i bashkisë së Fushë Arrëzit: Qeveria duhet të ndërhyjë, zjarret janë jashtë kontrollit në Xathë
Situata me zjarret në Fushë Arrëz vijon të jetë tejet problematike, teksa në fshatin Xathë gjendja është më e rënduar.
Autoritetet apelojnë për ndihmë, duke shtuar se është e pamundur të ndërhyhet për shkak të terrenit të thyer, ndërsa flakët kanë përparuar drejt një fshati tjetër, Flet.
Kryetari i bashkisë Hil Curri ka bërë thirrje për ndërhyrje nga ajri por deri tani pushteti qëndror nuk i është përgjigjur edhe pse situata është tepër kritike në këtë zonë.
‘Është situatë e tmerrshme, jam pa fjalë. S’;ka ndërhyrje as nga ajri, vetëm me mjetet që kemi vetë dhe Bashkinë e Pukës’.
Vatra e zjarrit është përhapur më shumë ndërkohë është dashur edhe evakuimi i banorëve në disa banesa të rrezikuara.
Sipas shërbimeve zjarrfikëse që kanë mbërritur nga Puka, flakët po kërcënojnë banesat që prej mbrëmjes së kaluar, ndërsa është bërë i mundur evakuimi i banorëve.
‘Qeveria duhet të ndërhyjë, kam njoftuar ministrin për ndërhyrje pasi është sipërfaqe e madhe dhe jemi në gjendje emergjence të shkallës numër 1’, u shpreh kryebashkiaku i Fushë Arrëzit.