Moment special në karrierë, mbrojtësi shqiptar debuton me fanellën e Hajduk Split
Futbollisti shqiptar i Kosovës, Ron Raçi luajti vetëm pesë minuta në ndeshjen debutuese për Hajdukun e Splitit. Qendërmbrojtësi i talentuar fillimisht synon të stabilizohet te gjiganti kroat e më pas ta sigurojë një kalim në njërën prej ligave më të mëdha në Evropë.
Në sytë e 25 mijë shikuesve të pranishëm në stadiumin “Poljud”, Raçi 22-vjeçar luajti nga minuta e 85-të për Hajdukun e Splitit që fitoi ndaj Gocicës në kuadër të javës së dytë të elitës së futbollit kroat.
“Ishte një ndjenjë e veçantë dhe një moment që do ta mbajë mend gjithmonë. Hajduku është një klub me histori të madhe dhe tifozë të jashtëzakonshëm, dhe për mua ishte nder i madh të vesh fanellën e tij për herë të parë”, ka thënë Raçi.
“Çdo lojtar ëndërron të luajë në ligat më të forta. Sigurisht, me punë të madhe dhe paraqitje të mira gjithçka është e mundur, por tani jam i fokusuar vetëm te Hajduku”, theksoi Raçi.
Në të kaluarën disa futbollistë shqiptarë pikërisht nga futbolli kroat janë transferuar në top ligat botërore.
Disa prej tyre janë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, Ardian Ismajli e Emir Sahiti, etj.