Luis Enrique prek zemrat e të gjithëve: Finalja e Championsit më kujtoi vajzën time që nuk jeton më

Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka treguar se fitorja e skuadrës së tij në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Interit i solli në mendje vajzën e tij të ndjerë, e cila ndërroi jetë në mënyrë tragjike gjashtë vite më parë.

“E dini tashmë çfarë ka kaluar familja jonë me humbjen e vajzës time, Xana, e cila ndërroi jetë në vitin 2019 në moshën nëntëvjeçare.

Në jetë, të gjithë e dimë se lindim dhe vdesim, këto janë dy gjëra të sigurta, por askush nuk e pranon vdekjen. Mendoj se me kalimin e viteve dhe përmes këtij procesi, e gjithë familja ime ka mësuar të jetojë ndryshe, në një mënyrë që na përmbush.

Edhe pse Xana nuk është më fizikisht mes nesh, ajo është gjithmonë e pranishme shpirtërisht.

Kjo ndeshje ishte një prekje e fundit që më kujtoi se e vogla Xana e donte vrapimin në fushë dhe do ta kishte shijuar këtë moment dhe në fakt e shijoi, përmes motrës dhe vëllait të saj, përmes nesh, prindërve të saj.

Ishte një moment i bukur dhe emocional, sepse të gjitha familjet e lojtarëve dhe stafit ishin të pranishme në stadium. Dhe ne duam më shumë. Duam ta përjetojmë sërish”, përfundoi trajneri spanjoll.

Xana ishte parë duke valëvitur flamurin e Barcelonës pas fitores së Ligës së Kampionëve në vitin 2015, hera e fundit që katalanasit fituan trofeun më të rëndësishëm evropian për klube.

Fitorja e PSG-së ndaj Interit shënoi herën e parë në histori që skuadra parisiene ngre trofeun me “veshë të mëdhenj”.