Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zgjat pezullimin e tarifave ndaj Kinës për 90 ditë të tjera

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zgjatur për 90 ditë të tjera armëpushimin doganor me Kinën, vetëm disa orë para se të skadonte marrëveshja e fundit mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Sipas mediave amerikane, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën, duke shtyrë zbatimin e tarifave të reja deri në 145% për mallrat kineze që hyjnë në SHBA.

Më herët, Pekini shprehu shpresën për “rezultate pozitive tregtare” në ditën e fundit të periudhës 90-ditore të pezullimit të tarifave, të arritur në maj. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, u bëri thirrje SHBA-ve të respektojnë konsensusin e arritur mes dy presidentëve dhe të punojnë për përfitim të ndërsjellë.

Trump, megjithëse la të hapur mundësinë e rikthimit të tarifave duke thënë “do të shohim çfarë ndodh”, vlerësoi marrëdhëniet me homologun kinez Xi Jinping si “shumë të mira”.

Muajin e kaluar, zyrtarët e dy vendeve u takuan në Stokholm për raundin e radhës të negociatave, ku u sinjalizua pritshmëria për zgjatjen e armëpushimit. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se ekzistojnë “parakushtet” për një marrëveshje, por mbeten detaje për t’u dakorduar.

Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës ka tronditur tregjet globale dhe ka rritur frikën për një përshkallëzim që mund të dëmtojë ekonominë botërore. Dy vendet do të vazhdojnë bisedimet gjatë 90 ditëve të ardhshme, me optimizëm se një marrëveshje mund të arrihet para skadimit të afatit të ri.