Zjarr masiv në Fushë-Arrëz, rrezikohen dhjetëra shtëpi, evakuohen banorët dhe bagëtitë
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e kësaj të hëne fshatin Xath, në bashkinë Fushë-Arrëz. Flakët kanë depërtuar brenda zonës së banuar, duke rrezikuar dhjetëra banesa.
Era e fortë ka favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit, duke e vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Policia ka evakuuar banorët dhe bagëtitë, ndërsa rruga Fushë-Arrëz – Bajram Curri është bllokuar përkohësisht.
Në vendngjarje ndodhen dy mjete zjarrfikëse, 12 efektivë, punonjës të pyjores si edhe banorë të zonës, të cilët po përpiqen të mbrojnë shtëpitë dhe pyjet përreth.
Situata mbetet problematike edhe në bashkinë Malësi e Madhe, ku një sipërfaqe toke është djegur në fshatin Gruemirë.