Sekreti i 'ndyrë' i industrisë së linjave ajrore: Dështimet e karburantit të pastër të avionëve

Në vitin 2019, Scott Kirby, CEO i United Airlines, promovoi kontratën e kompanisë me World Energy, prodhuesin pionier të Karburantit të Qëndrueshëm të Aviacionit (SAF), duke e cilësuar atë si shembull për industrinë e aviacionit në përpjekjet për uljen e emetimeve. Por gjashtë vite më vonë, bashkëpunimi mes tyre është ndërprerë dhe rafineria kryesore e World Energy në Paramount, Kaliforni, ka ndaluar aktivitetin.

World Energy ishte një nga kompanitë e para në botë që prodhonte sasi komerciale të SAF, karburant i cili prodhohet nga burime të ndryshme të riciklueshme si vajrat e përdorur të gatimit, mbetjet bujqësore dhe lloje të tjera mbetjesh organike. Rafineria e Paramount, pranë Los Angeles-it, nisi operacionet në vitin 2016 dhe furnizonte me miliona galonë SAF për linjat ajrore si United Airlines dhe JetBlue Airways, duke qenë pjesë qendrore e angazhimit të tyre për përdorimin e përzierjes prej 10% SAF deri në fund të këtij deceni.

Megjithatë, rafineria e Paramount u mbyll në mënyrë të heshtur në muajin prill 2025, ndërsa planet për ndërtimin e një rafinerie të dytë në Houston janë pezulluar për shkak të mungesës së angazhimit nga industria e aviacionit, sipas CEO-së së World Energy, Gene Gebolys. Ai kritikoi disa linja ajrore për angazhime të sipërfaqshme dhe promovime mediatike pa mbështetje reale në projekte SAF.

“Disa kompani ajrore ishin pjesë e përpjekjeve disi mashtruese për të nxjerrë në media angazhime që nuk mbështeteshin në veprime konkrete,” tha Gebolys, pa përmendur emra. Ai pranoi megjithatë që disa kompani kanë dhënë mbështetje të sinqertë dhe se qeveritë duhet të rrisin stimujt për avancimin e këtyre projekteve.

United Airlines konfirmoi ndërprerjen e kontratës me World Energy “që disa vite më parë” pa dhënë shpjegime të detajuara, ndërsa një zëdhënës i JetBlue tha se kompania vazhdon ta konsiderojë World Energy partner të vlefshëm që nga viti 2020.

Strukturat dhe rezultatet e World Energy reflektojnë problematikat e shumta të prodhuesve të karburanteve të gjelbër në sektorin e aviacionit. Një investigim i Reuters zbuloi se nga 165 projektet e shpallura në 12 vitet e fundit, vetëm 36 janë realizuar, ndërsa vetëm 10 prej tyre prodhojnë vëllime komerciale të Karburantit të Qëndrueshëm të Aviacionit. Në të njëjtën kohë, industria mungon një plan të qartë dhe të transparencë për të arritur objektivat ambicioze për reduktimin e emetimeve.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) parashikon që SAF do të përbëjë vetëm 0.7% të konsumit total të karburantit ajror në vitin 2025, një rritje modeste nga 0.3% në 2024, ndërsa trafiku i pasagjerëve parashikohet të rritet me 6% këtë vit. Për të arritur neto zero deri në vitin 2050, IATA thotë se do të nevojiten 118 miliardë galonë SAF në vit, një rritje prej mbi 300 herë nga prodhimi aktual.

Edhe pse industria ka shpallur një numër të madh projektesh dhe nismash, shumë prej tyre janë vonuar, pezulluar apo kanë mungesë përmbushjeje. Reuters ka ndërtuar një databazë ku ka evidentuar se shumë projekte janë thjesht në faza fillestare, pa prodhim real, ndërsa disa janë braktisur plotësisht.

Çmimi i SAF është tre deri pesë herë më i lartë se ai i karburantit tradicional, duke kufizuar kërkesën nga linjat ajrore. Ekzekutivë të kompanive të mëdha të naftës thonë se ka një mbingarkesë të kapaciteteve në sektorin e SAF dhe se kërkesa nga aviacioni është e ulët në kushtet aktuale të tregut.

Rafineria e Paramount, që përdorte si burim vajra gatimi dhe yndyra shtazore për të prodhuar karburantin, pati vështirësi të mëdha në zgjerim dhe ndërmori pushime të mëdha për punonjësit. Pas tërheqjes së partnerit kryesor Air Products nga projekti i zgjerimit në shkurt 2025, e ardhmja e rafinerisë mbetet e pasigurtë.

Sipas ekspertëve, linjat ajrore kanë një rol minimal në zbatimin e projekteve dhe shpesh angazhimi i tyre përqendrohet vetëm në blerjen e karburantit kur ai prodhohet. Gjithashtu, shumica e teknologjive të përdorura për prodhimin e SAF bazohen në procesin HEFA, që është i kufizuar nga mungesa e burimeve të përshtatshme si yndyrat dhe vajrat e ricikluar.

Sfidat për SAF janë të mëdha: nga teknologjitë e shtrenjta dhe të ndërlikuara, deri tek mungesa e investimeve dhe sfidat në zinxhirin e furnizimit. Disa projekte të tjera në SHBA dhe Evropë po hasin probleme serioze dhe vonesa, si rastet e kompanisë britanike Velocys, e cila po përdor teknologjinë Fischer-Tropsch për të prodhuar SAF nga mbetjet dhe mbeturinat, por ende nuk ka arritur prodhim komercial.

Industria e aviacionit, që lëshon rreth 2.5% të emetimeve globale të gazrave serrë, po përballet me sfidën e rritjes së trafikut ajror dhe nevojën për të reduktuar emetimet. Aktivistët e mjedisit kritikojnë angazhimet e kompanive si një përpjekje për të justifikuar rritjen e vazhdueshme të trafikut ajror pa marrë masa reale për klimën.

Në Bashkimin Europian, mandate të rrepta për përdorimin e SAF do të hyjnë në fuqi duke filluar me 2% të karburantit në 2025 dhe deri në 70% në 2050, duke imponuar kosto të konsiderueshme për linjat ajrore.

Në SHBA, ndryshimet politike mund të ngadalësojnë më tej tranzicionin, ndërsa projekte të mëdha si ajo e SGP BioEnergy në Panama janë shtyrë për vitin 2027 për shkak të mungesës së interesit nga kompanitë ajrore.

Ekspertët dhe aktorët e industrisë nënvizojnë nevojën për bashkëpunim të gjerë mes linjave ajrore, kompanive prodhuese dhe qeverive për të ndërtuar një sektor të qëndrueshëm dhe për të përmbushur objektivat mjedisore./ Reuters - Syri.Net