Të izoluar në Gjadër, dy qytetarë bangladeshas fitojnë mbrojtjen ndërkombëtare pas trafikimit dhe torturave në Libi
Dy emigrantë nga Bangladeshi që u shpëtuan nga autoritetet italiane në ujërat ndërkombëtare dhe u transferuan në Shqipëri në kuadër të marrëveshjes Itali-Shqipëri, kanë fituar të drejtën për mbrojtje ndërkombëtare dhe atë plotësuese pas një vendimi të gjykatës së specializuar në Romë.
Fillimisht, kërkesat e tyre për azil ishin refuzuar nga Komisioni Territorial, megjithatë gjykata hodhi poshtë vendimin administrativ dhe vlerësoi se të dy individët kishin qenë viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit të rëndë.
Dy bangladeshasit u trajtuan sipas procedurave të përshpejtuara kufitare të parashikuara në protokollin Itali-Shqipëri, pasi Bangladeshi u përfshi nga qeveria Meloni në maj 2024 në listën e vendeve të origjinës së ‘sigurta’, së bashku me Egjiptin. Të dy këta vende përfaqësojnë një përqindje të lartë të migracionit drejt Italisë dhe janë burimi kryesor i personave të transferuar në qendrat e ngritura nga Italia në Shqipëri, qendra që më pas u shndërruan në Qendra të Qëndrimit për Riatdhesim.
Pas mbërritjes së tyre në Gjadër më 18 tetor 2024, gjyqtarët e Romës nuk e konfirmuan ndalimin e tyre dhe urdhëruan lirimin në Itali. Ndërkohë, Komisioni kishte refuzuar kërkesën për azil, vendim kundër të cilit dy personat bënë ankim.
Faisal (emër i sajuar), një burrë 40-vjeçar, kishte kryer aktivitet politik në Bangladesh dhe ishte nën kërcënim nga vëllai i tij. Për të ndihmuar financiarisht familjen, ai u nis drejt Libisë përmes një të njohuri. Aty punoi pa pagesë dhe më pas u shit te mafia libiane, ku u mbajt i burgosur për pesë muaj. Familja e tij, përfshirë gruan dhe katër vajzat, u detyrua të merrte borxhe për të paguar shpërblimin për lirimin e tij. Për shkak të presioneve të kreditorëve, Faisal u detyrua të martonte vajzën 17-vjeçare.
Komisioni Territorial e konsideroi historinë e tij të pabesueshme, por gjykata e vlerësoi si të mbështetur nga fakte dhe raporte ndërkombëtare. Në vendimin e saj, gjykata thekson se Faisal është viktimë e trafikimit për qëllime shfrytëzimi në punë dhe se kthimi në Bangladesh do ta ekspozonte ndaj një rreziku të lartë të ritrafikimit dhe skllavërisë moderne. Gjykata i njohu atij mbrojtjen ndërkombëtare dhe urdhëroi Komisionin dhe Ministrinë e Brendshme italiane të paguajnë shpenzimet ligjore.
Imran (gjithashtu emër i sajuar), ndodhej në kushte të ngjashme. Edhe ai kishte marrë borxhe për të emigruar, por u rrëmbye nga mafia libiane, ku u mbajt i lidhur dhe u torturua për 18 ditë. Ai tregoi se, nëse do të kthehej në Bangladesh, nuk do të ishte në gjendje të shlyente borxhet, duke rrezikuar kështu përfshirjen në cikle të tjera trafikimi dhe shfrytëzimi.
Edhe pse Komisioni i njohu deklaratat e tij si të besueshme, i refuzoi kërkesën për azil. Por gjykata e specializuar i dha të drejtë dhe i njohu mbrojtjen plotësuese, duke argumentuar se kthimi në Bangladesh do ta ekspozonte ndaj trajtimeve çnjerëzore dhe degradues.
Rastet e Faisal dhe Imran theksojnë dobësitë e konceptit të ‘vendeve të sigurta’, veçanërisht kur ato nuk marrin parasysh gjendjen individuale të aplikantëve për azil. Sipas gjykatës, Bangladeshi është një vend me përhapje të madhe të trafikimit të qenieve njerëzore dhe me probleme të mëdha sociale, ekonomike dhe klimatike – si përmbytjet e shpeshta që e bëjnë të pamundur jetesën në disa rajone.
Raportet ndërkombëtare, të cituara në vendimet gjyqësore, përshkruajnë Bangladeshin si një vend burim, tranzit dhe destinacion për trafikimin e burrave, grave dhe fëmijëve për qëllime pune të detyruar ose prostitucion. Kriza klimatike, sipas të njëjtave burime, po bëhet një nga faktorët kryesorë të trafikimit.
Përkundër pretendimeve të qeverisë italiane dhe klasifikimit të disa shteteve si të ‘sigurta’, gjykata thekson se duhet bërë një vlerësim rast pas rasti, duke marrë parasysh rrethanat personale të aplikantëve. Vendimet e fundit e vërtetojnë se politika e përgjithësuar e listës së ‘vendeve të sigurta’ nuk mund të përdoret për të refuzuar automatikisht kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare.