Rëndohet situata te ‘Syri i Kaltër/ Flakët ‘pushtojnë’ rrethinat, era e fortë pengon ndërhyrjen nga ajri

Situata në Syrin e Kaltër vijon të jetë ende e rënduar për shkak të zjarreve që kanë rënë atje.

Flakët kanë pushtuar rrethinat, ndërsa ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse të Finiqit ka bërë të mundur deri më tani, që zjarri të mos depërtojë në brendësi të Parkut.

Dy helkopterë janë në vendngjarje për shuarjen e zjarrit, por era e fortë pengon në shuarjen e flaskëve.

Si pasojë e situatës së rënduar nga zjarret, shumë turistë janë detyruar të braktisin pikën turistike, pasi u rrezikohet jeta.

Zjarri i rënë në rrethinat e Syrit të Kaltër, një zonë e mbrojtur dhe e shpallur si “Monument Natyre”, ka nisur të shkaktojë dëmet e para në ekonomi dhe mjedis.

Një rritës bletësh, i shqetësuar për situatën, ka raportuar se deri tani i janë djegur 40 koshere, ndërsa shpreh frikën se flakët mund të përfshijnë edhe pjesën tjetër të zonës ku ndodhen rreth 100 koshere të tjera.