Franca vendi më i vizituar në botë, por pse nuk e ka aktivizuar turizmin?
Ndërsa në Greqi, Itali, Portugali dhe Spanjë vendasit kanë reaguar me protesta masive, grafite apo edhe pistoleta me ujë kundër turistëve, Franca – vendi më i vizituar në botë me mbi 100 milionë vizitorë në vitin 2024 – ka mbetur pothuajse e heshtur.
Ekspertët thonë se kjo nuk është rastësi. Franca ka ndërtuar prej vitesh një strategji për turizëm të qëndrueshëm, duke investuar miliarda euro për të shpërndarë vizitorët nëpër rajone dhe stinë të ndryshme, duke nxitur udhëtimet me tren në vend të fluturimeve të shkurtra dhe duke promovuar destinacione përtej Parisit e Nicës.
Rrjeti hekurudhor prej 28 mijë kilometrash dhe ndalimi i disa fluturimeve të brendshme kanë lehtësuar qasjen në qytete të vogla e zona rurale, duke shmangur përqendrimin e turmave në pak pika të njohura.
Përvoja e gjatë e mikpritjes, trashëgimia kulturore dhe rregulloret e hershme për qiratë afatshkurtra kanë ndihmuar gjithashtu që Franca të mos përjetojë tensionet e fqinjëve të saj. Megjithatë, autoritetet pranojnë se sfida të tilla si mbipopullimi dhe gentrifikimi mbeten në horizont – sidomos pas Lojërave Olimpike 2024, që sollën mbi 50 milionë vizitorë vetëm në Paris.
Në një kohë kur mbiturizmi po bëhet problem i madh në Evropë, “sekreti” francez mund të jetë fakti që e ka planifikuar këtë moment prej kohësh.