Aktivizohen disa vatra zjarri në rrethin e Krujës, digjen hektarë të tërë me pyje, autoritetet në gjumë
Disa vatra zjarri janë aktivizuar në rrethin e Krujës këtë pasdite.
Konkretisht, në vendin e quajtur Barkanesh, në Krastën e Krujës, ku pasditen e djeshme një vatër zjarri dogji hektarë të tërë me pisha dhe shkurre, është riaktivizuar sërish sot dhe dyshohet të jetë e qëllimshme.
Po ashtu, mbi fshatin Nikël është aktive një vatër zjarri, e cila po përparon me shpejtësi, e favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Ndërkohë, në fshatin Brret, një tel korenti i këputur nga amortizimi ka rënë dhe ka shkaktuar një vatër zjarri që rrezikonte disa banesa në zonë. Falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikëses, vatra është lokalizuar dhe po mbahet nën kontroll.
Në Barkanesh dhe në Nikël, ndërhyrja me mjete është e vështirë për shkak të terrenit.
Duhet theksuar se, ndonëse disa vatra zjarri po djegin hektarë të tërë me pyje dhe po shkatërrojnë florën dhe faunën – të cilat do të duhen dekada për t’u ripërtërirë – asnjë punonjës i emergjencave apo i bashkisë nuk ndodhet në terren, përveç repartit zjarrfikës, i cili ka aktivizuar edhe personelin që është në pushim.