Trajneri i Burnleyt tregon për gjendjen e Armando Brojës: S’dua të rrezikojmë
Trajneri i Burnleyt, Skot Parker, nuk ka ndër mend që të nxitohet me aktivizimin e Armando Brojës.
Duke parë situatën e dëmtimeve të shpeshta të lojtarit, ai ka bërë të qartë se klubi i cili sapo bleu kartonin e tij nga Çelsi, nuk ka ndër mend që të hedhë lojtarin në fushë duke e rrezikuar në një moment kur ai nuk është në formën maksimale apo pa marrë ngarkesat e duhura stërvitore.
“Ai duket mirë. Ai u stërvit dje për herë të parë dhe ishte vetëm një stërvitje e lehtë. Ndërsa sot është stërvitur pak vetëm”, tha Parker për “Burnely Express” pas miqësores që Burnley luajti ndaj Lacios.
“Megjithatë, duket në formë fizike, duket mirë. Me shumë mundësi i duhet pak punë tani që të jetë në ritmin e duhur, pasi siç e thashë, ai nuk ka bërë shumë stërvitje gjatë fazës përgatitore të sezonit. Në nuk duam ta vendosim në një pozitë ku të jetë i cenuar apo të rrezikojë ndonjë gjë këtu”, tha trajneri, duke shpjeguar kësisoj se për të parë Brojën në veprim në fushë do të pritej derisa sulmuesi të ishte në formën më të mirë.