Si një recetë makaronash ka shkaktuar një grindje diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë
Vitin e kaluar ishte çaji, këtë vit është pasta. Pas një “skandali” kulinar mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së për recetat e çajit, Londra është futur tani në një debat gati diplomatik me Romën – dhe gjithçka nisi nga një recetë e gabuar.
Faqja britanike e kulinarisë “Good Food” (dikur BBC Good Food) publikoi një version të shpejtë të pjatës tradicionale romake cacio e pepe, duke përdorur spageti, piper, parmixhano dhe gjalpë. Ky interpretim “herezik” zemëroi italianët, të cilët theksojnë se receta autentike ka vetëm tre përbërës: makarona (zakonisht tonnarelli), piper të zi dhe pecorino romano – pa gjalpë, pa parmixhano.
Gazeta romake Il Messaggero ironizoi: “Zoti e shpëtoftë cacio e pepe”, ndërsa presidenti i Fiepet-Confesercenti në Romë, Claudio Pica, dërgoi ankesë zyrtare tek kompania botuese dhe ambasadori britanik në Itali, duke e quajtur recetën “mistifikim absurd” të traditës.
Pas reagimeve të forta, “Good Food” e korrigjoi recetën, por tensioni nuk u shua. Udhëzimi alternativ në faqe – që sugjeron shtimin e kremit për lehtësimin e përgatitjes – ndezi sërish polemikat. Një gazetar i RAI-së e quajti këtë “gabim shumë serioz” dhe “fyerje ndaj kuzhinës italiane”.
Kjo nuk është hera e parë që britanikët irritojnë Italinë me makarona – shumica ende bëjnë carbonara me krem, një tjetër “krim” sipas standardeve romake. Dhe kështu, nga një recetë online, lindi një përplasje me shije djathi që rrezikon të kthehet në “luftë kulinare”.