Plas xhelozia te PSG, Hakimi kundër presidentit: E meritoj une Topin e Arte
Pas një sezoni historik ku Paris Saint-Germain arriti të fitojë për herë të parë Ligën e Kampionëve, atmosfera brenda skuadrës nuk është aq e qetë sa mund të mendohej. Klubi francez ka arritur të vendosë plot nëntë lojtarë në listën e 30 kandidatëve për “Topin e Artë”, një sukses i madh për ekipin e Luis Enrique. Megjithatë, ky numër i lartë kandidaturash ka nxitur edhe tensione të brendshme, sidomos pasi presidenti Nasser Al Khelaifi ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për Ousmane Dembélé.
“Do të ishte një problem i madh nëse nuk e fiton ai,” kishte deklaruar Al Khelaifi, duke e vlerësuar ish-yllin e Barcelonës. Por kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga të gjithë, veçanërisht nga Achraf Hakimi, i cili këtë sezon ka realizuar 11 gola dhe ka dhënë 16 asistime, një arritje e jashtëzakonshme për një mbrojtës. Në një intervistë për Canal+, marokeni u shpreh se e meriton çmimin po aq, në mos më shumë, se një sulmues: “Kam shënuar në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale, gjë që është edhe më e vështirë për një mbrojtës. Statistikat e mia nuk janë të zakonshme për rolin tim.”
Sipas “L’Équipe”, stafi i komunikimit të PSG-së ka tentuar të censurojë këtë pjesë të intervistës, por Hakimi ka insistuar që fjalët e tij të mbeten të plota. Në anën tjetër, Dembélé ka zgjedhur të mos bëjë deklarata publike mbi garën, duke besuar se fusha duhet të vendosë fituesin.
Jo vetëm Hakimi dhe Dembélé janë në qendër të vëmendjes. Portieri Gianluigi Donnarumma, i vetmi gardian në listë, ka kujtuar në rrjetet sociale se pa pritjet e tij vendimtare ndaj Liverpool, Aston Villa dhe Arsenal, PSG nuk do të kishte fituar Champions-in. Agjenti i tij, Vincenzo Raiola, ka theksuar se kontributi i portierit italian është po aq i rëndësishëm sa golat e Dembélé.
Mes tensioneve, vetëm Vitinha ka bërë një deklaratë “diplomatike”, duke thënë se është i nderuar të jetë mes kandidatëve, por se Dembélé e meriton më shumë. Pas zbulimit të intervistës së Hakimit, Al Khelaifi ka tentuar të qetësojë situatën duke u thënë lojtarëve se “të gjithë e meritojnë Topin e Artë”.
Tani mbetet për t’u parë si do të veprojë PSG për të mbështetur kandidaturën e favoritit Dembélé pa krijuar pakënaqësi të mëtejshme. Një sfidë e ndërlikuar për klubin kampion të Evropës, që kërkon të ruajë unitetin e skuadrës pas një sezoni të mbushur me trofe.