Lufta/ Zelensky thirrje për të rritur presionin ndaj Putin! Tusk: Trump u zotua se do konsultohet me ne para takimit në Alaska

Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zotuar të zhvillojnë konsultime me partnerët evropianë para takimit të kësaj të premteje me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ai shtoi se ruajtja e integritetit territorial të Ukrainës “nuk është vetëm çështje solidariteti me fqinjin tonë, por edhe e sigurisë sonë kombëtare”.

Tusk pranoi se ka “shumë frikë dhe shumë shpresë” për takimin Trump–Putin, duke vënë në dukje “taktikën e paparashikueshmërisë” që Trump ndonjëherë ndjek në veprimet e tij.

Duke folur në konferencë shtypi Tusk tha se disa pjesë të propozimit të Putinit për territorin duken “njëanshme” dhe është “e vështirë të kuptohet pse është e papranueshme” për Ukrainën.

Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë sërish thirrje partnerëve ndërkombëtarë të rrisin presionin ndaj Rusisë, duke thënë se ajo “po zvarrit luftën” dhe nuk tregon asnjë interes për ta përfunduar atë.

“Një tjetër javë u mbyll pa asnjë përpjekje nga Rusia për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta të komunitetit ndërkombëtar dhe për të ndalur vrasjet. Vetëm në 24 orët e fundit, në vijën e frontit janë shënuar 137 përleshje të armatosura – dhe kjo ndodh çdo ditë. Ushtria ruse nuk ul presionin dhe nuk merr parasysh humbjet,” tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një mesazh në X.

Ai theksoi se javën e fundit Rusia ka përdorur mbi një mijë bomba ajrore dhe gati 1,400 dronë sulmues kundër Ukrainës. “Sulmet me raketa vazhdojnë gjithashtu. Ne mbrojmë jetën e popullit tonë dhe forcojmë mbrojtjen ajrore. Kjo është gjendja në front dhe diplomacia duhet të përshtatet në përputhje me rrethanat.”

“Rusia po zvarrit luftën dhe, për këtë arsye, meriton një presion edhe më të fortë global,” shtoi Zelensky. “Ajo refuzon të ndalë vrasjet dhe, për rrjedhojë, nuk duhet të marrë asnjë shpërblim apo përfitim. Kjo nuk është vetëm një çështje morale, por edhe logjike: lëshimet nuk e bindin një vrasës, ndërsa një mbrojtje vërtet e fortë e jetës i ndal vrasësit. Falënderoj të gjithë ata, në mbarë botën, që na ndihmojnë të mbetemi të fortë dhe të afrohemi me një paqe të vërtetë – një paqe të bazuar mbi forcën. Është e vetmja paqe e mundur me Rusinë” shkruan Zelensky

Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin pritet të takohen më 15 gusht në Alaskë për të diskutuar për përfundimin e luftës në Ukrainë – një zhvillim që presidenti amerikan e quajti si një hap të mundshëm të madh pas javësh zhgënjimi për mungesën e përparimit drejt ndalimit të luftimeve.