Liria e medias po mbytet – vetëm Syri nuk hesht
Prej ditës së shtunë, ambientet e punës së grupit mediatik “Fokus Media” janë pushtuar nga forcat e ushtrisë, duke penguar hyrjen e gazetarëve dhe stafit teknik. Ky veprim i paprecedentë, i ngjashëm me praktikat e regjimeve autoritare, përbën një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias në Shqipëri.
Prej tre ditësh, një informative është jashtë transmetimit, ndërsa qindra familje gazetarësh dhe punonjësish mbeten në pasiguri për të ardhmen. Megjithatë, shumica e mediave të tjera heshtin – qoftë nga frika, qoftë nga varësia ndaj interesave të pushtetit.
Syri Tv dhe Syri.net kanë qenë të vetmet media që kanë pasqyruar në mënyrë të pandërprerë zhvillimet dhe protestat e gazetarëve të News24. Solidariteti me kolegët në momente të tilla është jo vetëm detyrim moral, por edhe një mbrojtje për të gjithë profesionin.
U kujtojmë të gjithë kolegëve se nëse sot kjo ndodh me News24, nesër mund të ndodhë me çdo redaksi tjetër. Liria e medias po ngushtohet dita-ditës, dhe heshtja sot do të gjykohet rëndë nga historia.