Ndalohen autorët e zjarreve që përfshinë pemët frutore në Kavajë dhe Rrogozhinë

Në vijim të situatës shqetësuese me zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit, Policia e Kavajës ka identifikuar dhe vënë në pranga shtetasit F. P., banuese në Peqinaj, R. M, banues në Zhabjak dhe J. M., banuese në Zhabjak të dyshuar si përgjegjës për zjarrin që ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke me pemë frutore në fshatrat Peqinaj dhe Zhabjak.

Sipas autoriteteve, zjarri ka dalë jashtë kontrollit gjatë djegies së mbeturinave në tokat bujqësore, duke shkaktuar edhe djegien e një banese të pabanuar.

Njoftimi i Policisë:

Kavajë 

Identifikohen dhe vihen në pranga autorët e dyshuar të zjarreve në Peqinaj dhe Zhabjak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë identifikuar dhe arrestuar 3 shtetas të dyshuar si autorë të zjarreve që përfshinë sipërfaqe të mëdha toke me pemë frutore, në fshatrat Peqinaj, Kavajë dhe Zhabjak, Rrogozhinë.

Pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme, në këto zona kishte rënë zjarr, forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje. 

Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve F. P., banuese në Peqinaj, R. M, banues në Zhabjak dhe J. M., banuese në Zhabjak.

Nga hetimet rezultoi se gjatë djegies së mbeturinave në tokat e tyre, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe me pemë frutore dhe duke shkaktuar djegien e një banese të pabanuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe banorët e zonave rurale që të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave ose mbetjeve bujqësore, si dhe të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara, për të parandaluar rreziqe të tilla për jetën dhe pronën.