Zjarret në Gramsh, helikopterët çekë dhe kroatë nisen për ndërhyrje nga ajri
Situata e zjarreve në territorin shqiptar vijon të jetë alarmante, ndërsa një tjetër vatër aktive është regjistruar në afërsi të fshatit Sojnik, pjesë e bashkisë Gramsh prej orëve të vona të së dielës. Sipas banorëve të zonës, zjarri ka përfshirë një masiv pyjor të dendur.
Për të përballuar përhapjen e flakëve në këtë zonë të vështirë autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme ajrore.
Sipas njoftimeve zyrtare, helikopterë të Forcës Ajrore Çeke dhe asaj Kroate, të cilët po operojnë nga Baza Ajrore e Kuçovës, janë nisur drejt zonës së zjarrit për të ndihmuar në shuarjen e flakëve. Këto mjete ajrore janë pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, që po mbështet Shqipërinë në përballimin e situatave emergjente gjatë këtij sezoni të nxehtë dhe me rrezik të lartë zjarresh.
Ndërhyrja nga ajri vjen pasi terreni malor dhe i thepisur në zonën e Gramshit e bën të vështirë ndërhyrjen me forcat tokësore të zjarrfikësve dhe ushtrisë.