‘Kanë paguar shtrenjtë në bregdetin shqiptar’/ Hoti: Kosovarët s'kanë harruar, liberalizimi i vizave u ka mundësuar turizmin në Greqi e Itali

Shqipëria po njeh dukshëm një rënie drastike të turizmit të shqiptarëve të Kosovës, të cilët tanimë kanë ‘braktisur’ vendin tonë, për të rezervuar në të tjera shtete bregdetare fqinje.

Në një intervistë për Syri Tv, kryetari i Unionit Tuiristik në Kosovë, Baki Hoti, konfirmon rënien e numrit të turistëve kosovarë që deri sezonin e kaluar kanë frekuentuar plazhet dhe bregdetin shqiptar.

Nën moderimin e Armela Ferskos, Hoti tha se liberalizimi i vizave ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të shtetasve të Kosovës në Shqipëri në pikun e sezonit turistik, duke bërë që ata të ‘shtegtojnë’ drejt vendeve evropiane,. Greqinë dhe Italinë fqinje.

Sipas Hotit, abuzimi me rritjen e çmimeve, sidomos ndaj shtetasve të Kosovës ka bërë që këta të fundit të mos zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet.

Ka rënie të numrit të turistëve të Kosovës. Po vijon ndoshta trendi i vitit të kaluar, pasi Shengen u ka mundësuar lëvizjen e lirë në vendet evropiane. Mendoj që kjo është ndër elementet kryesore. Elementi i dytë është edhe pjesa e pushimeve. Kosovarët s’po kalojnë pushime si ka qenë traditë me 7-8 ditë, por po lëvizin me 3-4 ditë qëndrim në vendet evropiane, Mal të Zi e Shqipëri. Kemi rënie edhe në bregdetin e Turqisë nga ana e kosovarëve. Kjo është reflektuar të kemi numër më të vogël të shtetasve të  Kosovës që frekuentojnë bregdetin shqiptar.

Kosovarët edhe këtë vit kanë lëvizur nëpër disa vende që s’i kanë vizituar gjatë kohës së vizave. Ka trend që po frekuentojnë Greqinë, Italinë e Bullgarinë. Edhe Shqipëria e Turqia janë në rënie e sipër nëse krahasojmë me vitin e kaluar. Edhe liberalizimi i vizave, edhe po udhëtojnë brenda 5-6 herë në vit, është kosto që po reflekton edhe në pikun e sezonit turistik.

Ka reflektuar negativisht vitit i kaluar, kur sezonin e kaluar pati ngritje të çmimeve. Kosovarët s’e kanë harruar këtë. Sot po shohim nga mediat, ku kemi parë problematika të ndryshme që në jug ka rritje të çmimeve apo dhe në pjesën tjetër bregdetar, e që s’ka ujë mjaftueshëm. Është problematikë serioze, trafiku, papastërtia. Pavarësisht kësaj, kosovarët janë përqendruar në veriun e Shqipërisë, Shëngjin e Velipojë. Qytetarët e Kosovës që kanë lëvizur në jug të Shqipërisë kanë qenë me paga të mira financiare dhe këta kanë zgjedh diçka tjetër sot, Greqinë e shtetet e tjera se kanë kushtet e kanë shfrytëzuar liberalizimin e vizave. Ndaj kjo është pse s’ka kosovarë në jug që s’e frekuentojnë.

Institucionet duhet të mendojnë mirë kur të veprojnë, e jo në sezonin turistik që ndikon direkt aty. Edhe Shqipëria e Kosova, do të duhet këtë vit të punojmë më tepër për promovimin dhe mundësive për kosovarët që të prenotojnë sa më herët, kosovarët kanë paguar çmimin me të lartë. Kanë paguar më shtrenjtë kosovarët. Çmimet janë shumë të larta. Mendoj se edhe hoteleria duhet të ketë konsideratë për kosovarët. Gjatë pandemisë, kosovarët e mbajtën Shqipërinë.