Diplomat nuk përputhen më tregun: 79 % e të rinjve punojnë nën nivelin e tyre te arsimit

Maturantët shqiptarë po përqendrohen kryesisht në tre drejtime për studimet e larta: shkenca mjekësore, teknologji-informacioni dhe degët ekonomike, për shkak të kërkesës së vazhdueshme të tregut, por edhe mundësive të punësimit më të larta se disa degë të tjera.

“Në tendencën e viteve të fundit të maturantëve, që është në tre fusha ose drejtime kryesore, ku dominojnë shkencat mjekësore dhe shkencat mjekësore teknike. Së dyti, me inxhinieritë në tërësi, por me dominim të teknologjisë së informacionit dhe tashmë edhe me prezencën e AI, apo trendin më të fundit të informatikës ekonomike, që është biznesi digjital, që tanimë po bëhet edhe më i kërkuar përtej inxhinierive tradicionale”, shprehet Erion Muça, ekspert punësimi.

Megjithatë, problematike mes punësimit dhe shkollimit mbetet mospërputhja e tregut të punës me investimin që të rinjtë bëjnë në arsim.

“Në shumë vite ka shumë të rinj të zhgënjyer nga mundësitë dhe hapësirat për punë që nuk kanë qenë në përputhje me shkallën e investimit që kanë bërë, duke u formuar, arsimuar apo kualifikuar ndër vite.Së dyti, lidhet shumë me nivelin e punës me investimin në arsim që kanë bërë. Sot, 79% e të rinjve bëjnë punë nën nivelin e formimit të arsimit, apo punë që nuk kanë lidhje fare me arsimin që kanë bërë. Gjë që i demotivon apo i pengon të rriten, promovohen apo zhvillohen në karrierën e tyre profesionale.”

E rëndësishme është edhe kërkesa për më shumë profilizim që prej nisjes së universitetit. Kjo, pasi dijet e përgjithshme nuk sjellin ekspertë në fusha të caktuara.