SYRI TV/ Pas policisë, ushtria mësyn të NEWS 24, drejtoresha Anila Jole: Po shkelet ligji
Sinjali i Televizionit informativ News 24 qëndron i mbyllur për të dytën ditë.
Stafi i gazetarëve dhe punonjësve të tjerë u përball mëngjesin e kësaj të diele jo vetëm me uniformat blu, por edhe me Policinë Ushtarake.
Drejtoresha e Televizionit, Anila Jole, shpjegoi çështjen e kontratës, ku vuri theksin se për njërin objekt parashikohet që deri në vitin 2033 të përdoret nga rrjeti mediatik.
Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, tha se shteti është përqendruar i gjithi në duart e Edi Ramës.
Për Ardi Veliun, që sot drejton agjencinë KAYS në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilën qeveria e bëri pronare të godinës së televizionit, tha se do duhej të ishte në burg.
Moderatorja Ola Bruko ngriti shqetësimin për të ardhmen e qindra punonjësve dhe cenimin e ushtrimit të profesionit.
Gazetarët Osman Stafa dhe Igli Çelmeta ngritën shqetësimin se materialet e tyre të punës, përfshirë dokumentacion mbi të dhëna sensitive, ndodhen brenda redaksisë së tyre, teksa bënë thirrje për sensibilizimin e kolegëve të tyre.
Televizioni informativ News 24, godina e të cilit ndodhet në ish-Uzinën e Autotraktorëve në lagjen Shkozë të Tiranës, vazhdon të jetë me sinjal të fikur, pasi i gjithë stafi, teknikët, kameramanët, gazetarët dhe drejtuesit nuk lejohen të futen në godinë.