Rrugorja e Vlorës me 'dorë të hekurt'/ Mbi 4200 gjoba në 10 ditë, 18 shoferë të arrestuar ose proceduar

Në kuadër të sezonit veror dhe shtimit të fluksit të automjeteve dhe turistëve, rrugët në qarkun e Vlorës po përballen me probleme të mëdha trafiku dhe parkimi, duke shkaktuar vështirësi të shumta për qytetarët dhe pushuesit.

Gjatë 10 ditëve të para të muajit gusht, janë hequr me karrotrec dhjetëra automjete të parkuara gabim në zonat bregdetare dhe në qytetin e Vlorës, por këto masa nuk kanë mjaftuar për të zgjidhur problemet kronike të trafikut dhe parkimit në këtë periudhë.

Policia Rrugore deklaron se ka intensifikuar monitorimin dhe kontrollet në disa zona, por mungesa e një plani serioz dhe investimesh për përmirësimin e infrastrukturës rrugore vazhdon të jetë shqetësuese. 

Me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore, Policia Rrugore ka intensifikuar:

• Monitorimin e pandërprerë të rrugëve hyrëse/dalëse të qyteteve dhe zonave bregdetare;
• Shërbimet e Policisë në kryqëzime, zona turistike dhe pika me risk për bllokime;
• Kontrollet ndaj shpejtësisë, parakalimeve të gabuara, drejtimit nën efektin e alkoolit dhe mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë 10 ditëve të para të muajit gusht:

Janë arrestuar/proceduar penalisht 18 drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme;
Janë vendosur gjithsej 4297 masa administrative, ndër to:
• 1374 masa për shpejtësi tej normave të lejuara;
• 83 masa për parakalime të gabuara;
• 39 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit;
• 361 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motomjeteve;
• 13 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
* 2427 masa për shkelje të ndryshme të kodit rrugor.

Policia Rrugore e Vlorës dhe Sarandës do të vijojë kontrollet intensive në të gjitha segmentet rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë për qytetarët dhe pushuesit.

Apel për drejtuesit e automjeteve të mos parkojnë në vende ku parkimi është i ndaluar, pasi përveç masës administrative, parkimi i gabuar që pengon qarkullimin e mjeteve përbën vepër penale, sipas legjislacionit në fuqi.