Vasili: Turizmi në Shqipëri u nxorr me 'këpucë të kuqe' nga qeveria Rama
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, në një postim në Facebook shkruan se turizmi në Shqipëri është nxjerrë me “këpucë të kuqe” nga qeveria aktuale, duke u shndërruar në një katastrofë të plotë.
Ai akuzon kryeministrin Rama si “gjyslyk kuq” që vetëm ka thelluar kaosin dhe ka shtuar shkatërrimet gjatë sezonit turistik, duke vënë në dukje mungesën e ujit të pijshëm, energjisë elektrike, problemet me plehrat dhe trafikun e dëmshëm.
Vasili thekson se përkundër fjalimeve dhe shkarkimeve të vazhdueshme, asgjë konkrete nuk është bërë për përmirësimin e situatës dhe se kjo qeveri vazhdon të jetë armiku kryesor i turizmit shqiptar.
Postimi i plotë:
E nxori me këpucë të kuqe turizmin, ky gjyslyk kuq Rama.
Ky gjyslyk kuq Rama që vetëm shtoi kaosin dhe me shkatërrimet e çmendura në mes të sezonit tregoi se çfarë elifimatraku është lidhur me turizmin.
Me ca shkarkime budallenjsh nëpër bashki kujtoi se bëhet turizmi, që ka marrë tetëposhtë.
Asgjë nuk ka ndryshuar përveç se është përkeqësuar në mënyrë të pandalshme.
Serish mungoi uji i pijshëm, serish plehrat mbytnë zonat turistike, serish energjia elektrike mungoi, serish trafiku masakrues për shkak të rrugëve të pabëra ishin prova e një qeverie që nuk ekziston dhe i një kryeministri që përveç gjyslykëve të kuq nuk bëri asgjë tjetër.
Që turizmi ishte dështim sivjet kjo ishte tashmë kronikë e një vdekje të paralajmëruar.
Sharlatanizmi dhe propaganda primitive nuk e zhvillon dot turizmin përveç se e rrënon.
Asnjë veprim apo investim nuk është bërë drejt një turizmi me standarde përveç grabitjes së fondeve publike përmes tenderave elektorale dhe vjedhjes së çdo forme.
Spontanitet i privatëve që ecin kuturu dhe që bëjnë çfarë mundin të pa trajnuar dhe të paorientuar në kaos të plotë, kjo është pamja e turizmit në Shqipëri.
Asnjë gram punë për standardet dhe standardizimin e cilësisë së shërbimit, plaga më e madhe e turizmit shqiptar.
Shqiptarët lëvizin tashmë nëpër botë dhe e kanë të lehtë të kuptojnë diferencën si dhe të kuptojnë se qeveria është armikja kryesore e turizmit shqiptar.
Në vendet fqinje qeveritë bëjnë natën ditë për turizmin që sjell të ardhura dhe punëson mijëra qytetarë, ndërsa gjyslyk kuq mban fjalime dhe bën shkarkime e shkatërrime.
Me fjalime, shkatërrime e shkarkime nuk bëhet turizmi o gjyslyk kuq.