‘Edi Rama po shkatërron shtetin dhe demokracinë shqiptare’/ Nesho: Po godet televizionet për të hequr vëmendjen nga farsa e 11 majit...
Diplomati Agim Nesho e përshkruan si një “rast të pazakontë” sulmin ndaj televizionit News24, duke e lidhur atë me frikën dhe pasigurinë e një autokrati që ka kapur dhe personalizuar shtetin.
Në intervistën e dhënë në edicionin e paradites në SYRI TV, Nesho theksoi se pas farsës elektorale të 11 majit, Edi Rama po mundohet të heqë vëmendjen nga mungesa e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe po tenton të vërë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit. Në këtë situatë, pyetja që shtrohet është e dhimbshme: A po shkon Shqipëria drejt Bashkimit Evropian apo drejt diktaturës?
Agim Nesho: Duhet të themi që ishte një rast i pazakontë, një rast që ishte rasti i erës për një demokraci funksionale. Asnjëherë hapësirat, sinjalet e televizioneve që janë pronë publike dhe që i shërbejnë interesave të qytetarit, pavarësisht sesi menaxhohet, pavarësisht se si është ligji i shtypit në Shqipëri që ka akoma kontrollin e pronarëve ndaj linjës editoriale. Por, këto janë hapësira të domosdoshme të funksionimit të një demokracie e cila ka nevojë për të bërë shtetin e të drejtës.
Prandaj, ne po shikojmë që gjatë gjithë kësaj periudhe, ka patur një sulm, ndoshta konfuz që vjen nga frika, pasiguria, e një autokrati si Edi Rama, i cili ka kapur dhe personalizuar shtetin shqiptar. Pas katastrofës dhe farsës elektorale të 11 majit, ai kërkon të heqë vëmendjen nga ajo që është çështja kryesore e kësaj shoqërie. Ajo që përbën kontratën kryesore të popullit me qeverinë e radhës. Domethënë, moslegjitimiteti i zgjedhjeve të cilat do të drejtojnë vendin edhe për 4 vjet të tjera.
Këto institucione të cilat do të flasin në emër të popullit shqiptar janë të palegjitimuara, jo vetëm nga shkeljet e shumta zgjedhore, blerja e votave, përdorimi i administratës etj...prandaj ajo që neve na vë përpara një pikëpyetjeje tepër të madhe, është ‘cuo vadis’ Shqipëri.
Po shkon drejt Bashkimit Evropian, apo jemi kthyer në atë arrogancën për të përballuar frikën e një diktatori të ri, i cili kërkon që të vërë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit.