Kosovë/ Sherr masiv në Kllokot, përfshihen edhe dy policë jashtë detyrës
Në orët e para të së shtunës në Kllokot ka ndodhur një përleshje fizike ku janë përfshirë shtatë persona, prej tyre dy policë jashtë detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të policisë, rrahja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje në një lokal-kafe.
Tre persona janë arrestuar në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë janë larguar. Viktimat, përfshirë edhe policët jashtë detyrës, kanë marrë shërbim mjekësor për lëndime të lehta trupore.
“Në vendin e ngjarjes janë arrestuar tre të dyshuar, të cilët ndodheshin nën ndikimin e alkoolit. Dy të dyshuar të tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Rasti është duke u hetuar nga Inspektorati i Policisë, ndërsa prokurori kujdestar ka urdhëruar lirimin e tre të arrestuarve pas intervistimit,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë.