Ekspozita e piktorit Agron Polovina, 38 peizazhe dhe tablo me motive shqiptare

Në Pogradec është çelur ekspozita e piktorit Agron Polovina, një artist me lidhje të hershme shpirtërore e profesionale me këtë qytet. Ai rrëfen se dashuria për Pogradecin ka nisur që në vitet e Liceut Artistik, kur pedagogu i tij i dashur, Gjergji Lako, e afroi me bukuritë dhe kulturën e vendit.

Ekspozita përfshin 38 piktura kryesisht peizazhe, si edhe tablo me veshje tradicionale shqiptare të realizuara gjatë udhëtimeve të artistit nëpër vend. Pjesën më të veçantë e zënë kompozimet, ku pas shumë vitesh Polovina prezanton 5 vepra të reja, të frymëzuara nga trashëgimia e qytetit dhe problematika aktuale të vendit.

Piktori Arben Golemi, mik dhe bashkëpunëtor i afërt, e cilëson Polovinën artist të afirmuar dhe peizazhist të përkryer. Vlerësime ka dhënë edhe piktori Vagjo Vasili, i cili e përshkruan si artist shumë cilësor dhe me ndjeshmëri të veçantë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë muajit gusht, duke u ofruar artdashësve dhe vizitorëve të Pogradecit mundësinë për ta parë nga afër.