Barcelona e Flick-ut të fut frikën, fleksibilitet maksimal me lojtarë që luajnë në disa pozicione
Afrimi i Marcus Rashford dhe turneu aziatik kanë hapur për Hansi Flick një sërë mundësish të reja te Barcelona. Me gjendjen ekonomike të klubit, trajneri gjerman dhe drejtori sportiv Deco kanë projektuar një skuadër ku shumica e lojtarëve mund të mbulojnë disa pozicione, duke u përshtatur sipas ndeshjes. Përjashtim bëjnë vetëm portierët dhe Robert Lewandowski, i vetmi qendërsulmues i pastër.
Porta
Ky repart do ketë më pak rotacione. Joan García është zgjedhur si titullar, pas pagesës së klauzolës prej 25 milionë eurosh tek Espanyoli. Flick kërkoi gjithashtu rinovimin e Szczesny-t për dy sezone për të pasur një portier me përvojë. I treti në hierarki është Diego Kochen nga akademia. Situata e Ter Stegen mbetet problematike për shkak të konfliktit me klubin dhe dëmtimit të shpinës. Iñaki Peña ka oferta dhe pritet të largohet.
Mbrojtja
Rikthimi i Ronald Araújo-s dhe promovimi i Jofre Torrents shtojnë alternativat. Vitin e kaluar, linja Koundé–Cubarsí–Íñigo Martínez–Balde ishte baza, por këtë sezon Araújo pritet të zëvendësojë Íñigo-n. Koundé, Eric García, Araújo dhe Gerard Martín mund të luajnë si qendërmbrojtës ose mbrojtës krahu. Marc Casadó gjithashtu mund të mbulojë krahun e djathtë.
Mesfusha
Frenkie de Jong dhe Pedri janë titullarët e padiskutueshëm në rolin e dyshes së mesfushës. Gavi dhe Casadó luftojnë për hapësirë, ndërsa Marc Bernal po rikuperohet nga një dëmtim i rëndë. Fermín López mund të luajë aty, por preferon rolet më ofensive.
Sulmi
‘Tredhëmbëshi’ kryesor është Lamine Yamal–Raphinha–Lewandowski, por Flick ka shumë opsione shtesë. Rashford dhe Ferran Torres mund të luajnë në çdo pozicion ofensiv. Raphinha mund të kthehet në të djathtë, ndërsa Fermín dhe Balde mund të shfrytëzohen nga e majta. Në rolin e nr. 10-s, Dani Olmo shihet si titullar, me Fermín, Raphinhan, Pedrin dhe Gavin si alternativa.
Ky dizajn fleksibël e lejon Flick-un të ndryshojë formacionin e Barcelonës në çdo moment, duke e bërë ekipin më të paparashikueshëm dhe më të përgatitur për sfida të ndryshme gjatë sezonit.