VIDEO/ Shehu ‘shokon’ me një tjetër ‘perlë’, shokët e skuadrës nuk u besojnë syve

Juljan Shehu po shkëlqen në mënyrë të jashtëzakonshme në kampionatin polak, duke u kthyer në një nga liderët e Vidzev Lodz. Mesfushori i Kombëtares shqiptare firmosi një tjetër gol spektakolar mbrëmjen e sotme, në sfidën e javës së katërt ndaj Visla Plock.

Pasi miqtë kaluan në avantazh në minutën e 36-të me Sekulskin, reagimi i Vidzevit nuk vonoi. Vetëm pesë minuta më vonë, Shehu shpërtheu me një goditje të fuqishme me të majtën nga brendësia e zonës, duke dërguar topin në cepin e portës dhe duke ngritur në këmbë stadiumin e mbushur plot.

Goli i Julian Shehut

Pamjet e golit janë bërë virale në rrjetet sociale, ku bie në sy reagimi i bashkëkombësit të tij, Lindon Selhait, i cili vendosi duart në kokë i habitur nga mjeshtëria e realizimit. Festa u shoqërua me shqiponjën dykrenare dhe një dedikim të veçantë, duke ndezur entuziazmin e tifozëve.

Forma e lartë e Shehut e konfirmon atë si një element të rëndësishëm për klubin polak, por edhe për Kombëtaren Shqiptare, që mund të mbështetet tek energjia dhe kreativiteti i tij në ndeshjet e ardhshme.