Zbulohet arsyeja pse yjet e parë në univers nuk lanë gjurmë
Yjet e parë në univers mund të kenë qenë shumë më të vegjël se sa mendohej më parë, sipas një studimi të ri, gjë që mund të shpjegojë vështirësinë për të gjetur dëshmi të ekzistencës së tyre.
Studimi tregon se këto yje u formuan në një mjedis të dhunshëm, brenda një reje gazi me turbulencë supersonike, me shpejtësi pesë herë më të madhe se ajo e zërit në atmosferën tokësore. Simulimet treguan që reja u nda në copa të vogla, duke krijuar grumbuj gazi nga të cilët formoheshin grupe yjesh. Një prej këtyre grupeve formoi një yll me masë tetë herë më të vogël se ajo që supozohej më parë (100 herë masa e diellit).
Kjo sugjeron se yjet gjigantë të parë nuk lindën të izoluar, por brenda rrjeteve yjesh. Ky fragmentim u shkaktua nga turbulenca supersonike, duke çuar në formimin e disa yjeve më të vegjël, sipas Ke-Jung Chen nga Instituti Astronomik i Akademisë Sinike në Taiwan.
Të kuptuarit e këtyre yjeve të parë ndihmon në studimin e origjinës së galaktikës dhe sistemit tonë diellor. Me modelin e ri dhe teleskopin James Webb, shkencëtarët synojnë të avancojnë studimet mbi lindjen e yjeve dhe formimin e galaktikave.
Për këtë studim u përdor simulimi Gizmo dhe projekti IllustrisTNG për të analizuar zonën e një miniaureole me masë dhjetë milionë herë më të madhe se Dielli, e cila tërheq gaz përmes gravitetit, duke krijuar turbulencë supersonike dhe grumbullim gazi.
Ky mjedis i ashpër çoi në më pak yje të mëdhenj se sa mendohej më parë. Yjet e mëdhenj supozohej të shpërthenin si supernova, duke lënë mbetje kimike të gjetura tek yjet e rinj, por këto shenja mungojnë, duke sugjeruar se yjet gjigantë të parë ishin të rrallë.
Grupi i Chen-it po vazhdon studimet për të kuptuar më mirë këtë periudhë të hershme, "agimin kozmik", dhe do të përfshijë edhe ndikimin e fushave magnetike, të cilat sot dihet se ndikojnë në formimin e yjeve. / Live Science - Syri.net