Milani barazon ndaj Leeds në miqësoren e Dublinit, Jashari debuton dhe fiton duartrokitje

Milan i Massimiliano Allegrit nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në miqësoren ndaj Leeds, zhvilluar në “Aviva Stadium” të Dublinit. Pavarësisht një nisjeje më të mirë të anglezëve, me Stach që goditi traversën në minutën e 10-të, kuqezinjtë morën kontrollin e lojës dhe gjetën avantazhin në minutën e 31-të me Gimenez, pas një aksioni të bukur mes Chukwueze dhe Okafor, të finalizuar me asist nga Magni. Meksikani ishte pranë dopietës, ndërsa në fundin e pjesës së parë Terracciano ndali në ekstrem një tentativë të Piroe.

Një moment i veçantë për kuqezinjtë ishte debutimi i Ardon Jasharit, mesfushorit të ri nga Zvicra me origjinë shqiptare. Ai u aktivizua në pjesën e dytë, duke treguar siguri në pasime dhe aftësi për të lexuar lojën, pavarësisht natyrës miqësore të sfidës. Debutimi i tij u prit me entuziazëm nga tifozët që shohin te ai një element premtues për të ardhmen e Milanit.

Në pjesën e dytë, Allegri aktivizoi edhe Coubis në vend të Musah, por Milani ruajti të njëjtin ritëm, duke kërkuar me durim golin e dytë. Megjithatë, në minutën e 68-të, Stach barazoi shifrat me një goditje të fortë nga distanca, duke përfituar nga një moment pasigurie i portierit Terracciano.

Kuqezinjtë iu afruan sërish avantazhit në minutën e 85-të, kur Sia goditi me kokë pas një krosimi të Saelemaekers, por topi u ndal nga traversa pas një devijimi të gabuar të portierit Darlow. Në sekondat e fundit, Sia pati edhe një tjetër mundësi të artë, por gjuajtja e tij përfundoi shumë mbi portë.

Pas kësaj ndeshjeje, Milani do të ketë pak orë pushim përpara se të udhëtojë drejt Londrës, ku nesër do të përballet me Chelsea-n e Enzo Maresca-s. Pavarësisht rezultatit, Allegri mund të marrë nota pozitive nga loja e ekuilibruar dhe e organizuar e ekipit, si dhe nga debutimi inkurajues i Jasharit.