Atalanta ndëshkon Lookman-in, kërkon alternativa në Premier League, por nigeriani nuk ndryshon mendim

Sulmi i Interit po funksionon dhe këtë e tregojnë golat e Lautaros e Bonny-t, ndërsa Thuram po rikuperon formën dhe Pio Esposito pret momentin e tij për të treguar cilësitë. Me Ademola Lookman në dispozicion, tekniku Chivu do të kishte një repart ofensiv të nivelit më të lartë, në gjendje të rivalizonte me Napolin kampion dhe skuadrat më të forta të Europës.

Por, sulmuesi nigerian ende nuk është pjesë e zikaltërve dhe nuk dihet nëse do të jetë ndonjëherë. Ai nuk ndodhet në Zingonia dhe, sipas zërave, po stërvitet vetëm në Portugali, në pritje që dëshira e tij për t’u transferuar në Milano të bëhet realitet. Atalanta po shqyrton masa disiplinore, përfshirë gjoba dhe ulje page, ndërsa po kërkon ta shesë lojtarin në tregun anglez për të shmangur kalimin te Interi. Arsenali është një nga pistat e mundshme, por deri tani pa përgjigje konkrete.

Megjithatë, Lookman dhe agjentët e tij mbeten të vendosur: destinacioni i vetëm i dëshiruar është Interi. Nga ana tjetër, zikaltrit nuk mund të presin pafundësisht. Nëse Atalanta vendos të ulë barrierat, Marotta është gati të paraqesë një ofertë të tretë, rreth 50 milionë euro.

Ndërkohë, në Bergamo po mendojnë edhe për zëvendësuesin: Jean-Philippe Mateta i Crystal Palace është në listë, me një vlerësim mbi 50 milionë euro. Paratë nga shitja e Retegui-t dhe ato të mundshme nga largimi i Lookman mund ta bëjnë të realizueshëm operacionin.

Në fund, fundjava pritet të jetë e qetë, por java e ardhshme mund të sjellë kthesën përfundimtare të një telenovele që askush nuk dëshironte të zgjatej kaq shumë.