Sesko prezantohet te Manchester United, kushtoi 85 milionë euro

Një vit më parë, Sesko ishte në radarin e Milanit dhe shumë klubeve të mëdha europiane, por befasoi duke rinovuar me Leipzig. Megjithatë, këtë verë ndryshoi mendje dhe nuk mundi t’i rezistonte thirrjes së Manchester United.

Sulmuesi slloven, i lindur më 2003, ka nënshkruar me “Djajtë e Kuq” kontratë 5-vjeçare. Kjo do të jetë eksperienca e tij e parë në Premier League. Klubi i “Old Trafford” ka paguar në total 85 milionë euro, duke mposhtur konkurrencën e Newcastle.

Ja njoftimi zyrtar: “Manchester United ka kënaqësinë të konfirmojë se Benjamin Šeško është pjesë e klubit, në pritje të regjistrimit zyrtar. Sulmuesi slloven ka firmosur kontratë deri në qershor 2030.

Në dy sezonet e fundit, Šeško ka shënuar më shumë gola se çdo lojtar tjetër nën 23 vjeç në 5 ligat kryesore europiane. 22-vjeçari realizoi 21 gola dhe dha 6 asistime me RB Leipzig sezonin e fundit. Me përfaqësuesen e Sllovenisë ka 41 paraqitje dhe 16 gola, duke qenë debutuesi më i ri në historinë e vendit të tij që nga viti 2021”.

Pas nënshkrimit të kontratës së re, Sesko dha deklaratën e tij të parë për mikrofonët e klubit të tij të ri: “Historia e Manchester United është padyshim shumë e veçantë, por ajo që më entuziazmon më së shumti është e ardhmja. Kur diskutuam për projektin, ishte e qartë se gjithçka është në vendin e duhur, që kjo skuadër të vazhdojë të rritet dhe të luftojë përsëri shpejt për trofetë më të rëndësishëm.

Që nga momenti që mbërrita, ndjeva energjinë pozitive dhe ambientin familjar që klubi ka krijuar. Ky është vendi perfekt për të arritur potencialin tim maksimal dhe realizuar të gjitha ambiciet e mia. Mezi pres të nis të mësoj nga Ruben (Amorim) dhe të krijoj lidhje me shokët e skuadrës për të arritur së bashku suksesin që e dimë se mund ta kemi”.

Jason Wilcox, drejtori sportiv i Manchester United, deklaroi: “Benjamin ka një kombinim të rrallë të shpejtësisë eksplozive dhe aftësisë për t’i dominuar fizikisht mbrojtësit, çka e bën një nga talentet më të jashtëzakonshme të futbollit botëror.

Ne e kemi ndjekur nga afër karrierën e tij. Të gjitha analizat tona tregojnë se ka cilësitë dhe personalitetin për të shkëlqyer te Manchester United. Nën drejtimin e Ruben Amorim dhe stafit tonë teknik të shkëlqyer, Benjamin futet në një ambient ideal për të arritur potencialin e tij botëror.

Dëshira e të gjitha blerjeve tona të reja për t’u bashkuar me klubin këtë verë tregon tërheqjen dhe prestigjin e Manchester United, ndërsa ne vazhdojmë ndërtimin dhe zhvillimin e një skuadre që mund të garojë për trofetë më të rëndësishëm”.

Gjatë dy sezoneve të fundit, Benjamin Sesko kishte mesatare 0.22 gola për goditje, një normë më e mirë se:

– Aleksandër Isak (0.21)

– Harry Kane (0.20)

– Erling Haaland (0.18)

– Kylian Mbappé (0.17)

– Ollie Watkins (0.17)

– Mohamed Salah (0.14)

Manchester United duket se ka shtuar një finalizues “klinik” në sulmin e vet.