Zjarr masiv në Navaricë, rrezikohen banesat në Livinë
Edhe sot vijon të jetë kritike situata nga zjarri në fshatin Navaricë, në bashkinë Finiq. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke avancuar drejt fshatrave Livinë dhe Dhrovjan, ku rrezikohen banesat, veçanërisht në Livinë.
Në terren ndodhen zjarrfikës nga Finiqi, Saranda, Konispoli, Delvina dhe Himara, të cilët po punojnë intensivisht për izolimin e vatrave. Në ndihmë të tyre janë angazhuar forcat e ushtrisë, efektivë të Policisë së Shtetit, si dhe banorë të zonës.
Ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri, me helikopterë që po asistojnë në kontrollin e përhapjes së flakëve. Megjithatë, puna e zjarrfikësve po vështirësohet ndjeshëm për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë që favorizon përhapjen e zjarrit.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të bashkëpunojnë me forcat operacionale në terren, ndërsa strukturat e mbrojtjes civile mbeten në gatishmëri të plotë.