‘Ndërprerja e sinjalit të News24’/ Erisa Xhixho: Shteti Policor po Sulmon Median e Lirë

Në një reagim të ashpër në rrjetet sociale, zëvendësdeputetja e PL, Erisa Xhixho, ka denoncuar me forcë sulmin ndaj grupit mediatik që përfshin News24, BalkanWeb dhe Gazetën Panorama, pas ndërprerjes së sinjalit të televizioneve dhe ndërhyrjes së forcave të policisë. Ajo e ka cilësuar këtë veprim si një sulm ndaj medias së lirë dhe fjalës së shprehur, duke paralajmëruar se këto veprime janë një hap drejt autokracisë dhe një rrezik për demokracinë. Xhixho e ka theksuar se një vend që aspiron anëtarësimin në BE nuk mund të integrohet duke sulmuar median e lirë.

Postimi i plotë:

Pamjet e forcave të policisë në dyert e medias së lirë janë fytyra më e shëmtuar e këtij regjimi banditesk.

Shteti policor që i zë derën një prej televizioneve më të hershme në Shqipëri, është prova më e qartë e autokracisë që kërkon t’i mbylli gojën medias së lirë.

Sulmi ndaj News 24 dhe heqja e sinjalit, pa asnjë vendim gjykate, është sulm ndaj fjalës së lirë, i paralajmëruar prej kohësh.

Kryepolici i Shqipërisë që jep urdhra për të nxjerrë jashtë me forcë gazetarët është kërcënimi më i madh i demokracisë.

Dënoj me forcë çdo akt dhune ndaj gazetarëve dhe punonjësve në krye të detyrës.

Një vend që aspiron BE nuk mund kurrsesi të integrohet duke sulmuar median e lirë.